Rënia e të hyrave nga marketingu në RTK shkakton përplasje verbale në Komisionin për Buxhet

Rënia e fitimeve nga marketingu në Radiotelevizionin e Kosovës shkaktoi përplasje verbale në Komisionin parlamentar për Buxhet, mes deputetëve nga opozita dhe anëtarëve të Bordit dhe Drejtorin të këtij televizioni.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të RTK-së, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi sqarim se pse ka ndodhur kjo rënie e të hyrave dhe “pse RTK-ja nuk është atraktive për bizneset që të bëjnë reklama”.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Bordi i kryesuar nga Besnik Boletini pranuan se të ardhurat prej marketingut kanë rënë çdo vit e më shumë në televizionin publik.

Boletini tha se performanca e Departamentit të marketingut është shqetësuese edhe për ta dhe se për këtë çështje kanë shqiptuar edhe vërejtje.

I irrituar nga kjo deklaratë, deputeti Hoti i reagoi me tone të ashpra Boletinit.

“Unë e ngriti çështjen, ti më thua ‘edhe unë e kam shqetësim’. Shqetësim unë e kam, ti duhesh me dhanë përgjegjësi” – tha ai.

Duke goditur tavolinën me dorë, Hoti hodhi akuza të tjera ndaj Boletinit dhe Ahmetxhekajt, duke thënë se e kanë çuar RTK-në, “në fund të pusit”.

“Problemin e financimit se ke zgjidh. E keni shkel ligjin në çdo aktivitet të prokurimit. Keni pranuar punëtorë në kundërshtim me ligjin. Raporti i auditimit e thotë” – tha Hoti.

Këto deklarata, Boletini i quajti politike, pasi sipas tij, ka pasur përmirësim të dukshëm në RTK.

Për rënien e të hyrave nga marketingu, drejtori e disa anëtarë të bordit shprehën pikëpamjet e tyre.

Ahmetxhekaj tha se të hyrat më të mëdha prej reklamave vijnë nga serialet turke dhe emisionet si “Big Brother”, që sipas tij, RTK nuk i servon për publikun.

Sipas tij dhe Boletinit, ndikim tjetër në rënien e të hyrave ka pasë edhe ulja e numrit të kontratave me kompensim, e cila sipas tyre është bërë me rekomandim të Komisionit. Ahmetxhekaj tregoi se në Departamentin e marketingut janë 11 punëtorë, 2 prej të cilëve në praktikë dhe nuk punojnë në marketing por në programacion.

Nënkryetarja e Bordit, Albulena Mehmeti tha se me performancën e tyre, këta punëtorë nuk nxjerrin as rrogat e tyre, kështuqë po presin veprime nga drejtori, pas vërejtje të shqiptuara. Sipas saj, duhet bërë patjetër një zgjidhje, ose në trajnim të stafit ose në reduktim të tyre, apo ndonjë veprim tjetër.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani tha se nëse këta punëtorë kanë kaluar testin e performancës, duhet të ofrohet një analizë se çfrarë ka ndikuar në këtë rënie të të hyrave.

Anëtari tjetër i Bordit të RTK-së, Birol Urcan kishte mendim ndryshe. Ai tha se të presësh që RTK të fitojë nga reklamat është sikur të presësh që Filharmonia të bëjë muzikë turbo-folk dhe të këndojë nëpër dasma për të fituar më shumë para.

Sipas tij, duke u bazuar edhe në Ligjin për RTK-në, ata obligohen që të kenë programe edukative, kulturore që në parim nuk sjellin fitim askund në botë. Prandaj, sipas tij RTK duhet të ketë shumë pak reklama, e të mos shtyhet me mediat private, që siç tha ai, janë të orientuara kah komercializmi.

Gjatë këtij raportimi, Boletini e Ahmetxhekaj u mburrën me faktin se shpenzimet për pagesa të stafit janë ulur në 8 milionë e 151 mijë euro, që i bie për rreth 150 mijë euro më pak krahasur me vitin e kaluar.

“Nuk besoj që ka institucion tjetër që ka bërë kësi reduktimi, siç kemi bërë ne” – tha Ahmetxhekaj.

Borxhet e mëhershme të RTK-së, sipas Boletinit po u shkaktojnë mjaft problem. Ai tha se gjatë vitit 2023, përmbaruesit përmes vendimeve të Gjykatave kanë tërhequr rreth 65 mijë euro, ndërsa këtë vit, gjendja është rënduar, me 189 mijë euro të tërhequra vetëm deri më tani.

Bordi mori kritika edhe për probleme të tjera lidhur me tenderët e rekrutimet, për të cilat Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje. Mirëpo për këto Bordi nuk pati mundësi të ofrojë përgjigje konkrete. Ato mbetën të diskutohen në mbledhjen e ardhshme kur do të vazhdohet raportimi.

Tollovi u krijua edhe për shkak se nuk ishte e qartë se çfarë raportesh kanë pranuar anëtarët e Komisionit nga RTK-ja. Meqenëse u pa se ka pasur ngatërresë dhe Komisioni nuk ka pranuar raportin e plotë, u vendos që kjo mbledhje dhe ky raportim të vazhdohet në një mbledhje tjetër gjatë javës së ardhshme.

Në këtë mbledhje ishte paraparë që të shqyrtoheshin edhe kërkesa buxhetore e Kuvendit të Kosovës për vitin 2025 dhe raporti vjetor financiar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Mirëpo, për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje, ato u shtynë për një herë tjetër.

Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët Armend Muja, Eman Rrahmani, Visar Korenica, Avdullah Hoti, Enver Haliti dhe Duda Balje. Dy të fundit nuk qëndruan deri në fund të mbledhjes.