Reagon presidentja Osmani për plagosjen e dyfishtë në Shtërpcë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas plagosjes së dy personave në Shtërpcë.

Osmani ka thënë se plagosja e dy të rinjve është akt i pa tolerueshëm dhe se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara qr qytetarëve t’u ofrohet ambient i sigurtë.

“Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i pa tolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë”- thotë Osmani.

Presidentja ju ka uruar të plagosurve shërim të shpejtë dhe ka ftuar organet e sigurisë të trajtojnë me urgjencë rastin.

“Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”- shton Osmani.

Në lidhje me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A. K. (M/K) i moshës 33 vjeçar”- thuhet në njoftim.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K. gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”- shkruan Mehaj.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari në një prononcim për KALLXO.com ka njoftuar se rrugët për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca, janë bllokuar nga banorët.

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, arrestohet një i dyshuar