Avni Mazrreku - Foto: Facebook
Reagimi i Avni Mazrrekut për Temën e Tij të Doktoratës
Avni Mazrreku ka dërguar në redaksinë e “Jeta në Kosovë” një reagim pas publikjimit të hulumtimit për revokimin e doktoraturës së tij nga një universitet gjerman.
Avni Mazrreku ka thënë se ende nuk ka pranuar asnjë vendim të shkruar për revokimin e titullit të doktoratës së tij. Ai në një reagim ndaj shkrimit të publikuar në gazetën ‘Jeta në Kosovë’, ka thënë se do të apelojë vendimin dhe se nuk do të ketë revokim të temës së tij.
Më poshtë po e publikojmë reagimin e plotë të tij:
Reagim
Për hir të opinionit publik e ndjej të nevojshme të reagoj në lidhje me lajmin e publikuar dje me datë 31 Janar 2018 në ora 21.21 minuta në portalin „Kallxo.com“. Më duhet të them se ky lajm nga vet mënyra e formulimit të titullit është i pasaktë dhe në shërbim të agjendave të caktuara për të cilat nuk dua të komentoj momentalisht, por me kohë dhe në momentin adekuat do ta bëjë, dhe njëkohësisht do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që janë pjesë e kësaj fushate dashakeqëse. Opinioni publik në Kosovë duhet të jetë i informuar për faktet si në vijim:
- Departamenti Juridik i Universitetit te Bremenit (aty ku unë kam mbrojtur titullin e Dr. jur me dt. 04 Maj 2009) nuk ka vendim të shkruar siç paraqitet në titullin e lajmit të lartcekur;
- Vetëm pasi unë ta marr një vendim të tillë, të cilin nuk e kam pranuar asnjëherë, siç edhe e kam informuar gazetaren e portalit respektiv më jepet e drejta për të kundërshtuar një vendim të tillë;
- Është parim bazik juridik se nuk ka vendim definitive pa u shterur të gjitha mjetet juridike dhe normalisht edhe mua një drejt e tillë me garantohet me ligjet gjermane;
- As në rastin tim sa i përket titullit Dr. jur të cilin e barti nga viti 2009 nuk ka vendim definitivë dhe një i tillë nuk do të ndodh asnjëherë;
- Unë do të bashkëpunoj në mënyrë të hapur dhe transparente gjatë gjithë procesit deri në vendimin final sa i përket kësaj çështje me të gjitha aktoret e interesuar për ketë çështje.
Me respekt,
Avni Mazrreku
Sqarimi i Redaksisë
Gazeta Jeta në Kosovë sqaron se lajmi i publikuar me datën 31 janar 2018 është bërë pas një hulumtimi të gjatë rreth kësaj çështje. I njëjti është i bazuar në deklaratat e personave kyç për këtë temë.
Gazeta Jnk ka raportuar për vendimin që e ka marrë Këshilli i Fakultetit Juridik në Universitetin e Bremenit, bazuar në deklaratën e Dekanit të këtij fakulteti, si dhe të Mentorit dhe vlerësuesit të parë të temës së Doktoratës së z. Mazrreku. Edhe në shkrim ceket që vendimi nuk është i shkruar, sepse takimi i Këshillit është mbajtur më datën 31 janar, ditën e publikimit të hulumtimit.
Gazeta i ka dërguar pyetje z. Mazrreku për dyshimet e ngritura se tema e tij e doktoratës kishte pjesë që janë plagjiaturë. Ai nuk është përgjigjur në pyetje. Por, ka thënë se do të përgjigjet kur të ketë një vendim nga Universiteti. Gazeta ka pritur deri në ditën kur është planifikuar të merret vendimi nga Universiteti. Pas marrjes së konfirmimit për vendimin e Këshillit të Fakultetit Juridik, gazeta e ka pyetur z. Mazrreku nëse do ta apelojë të njëjtin, pra nëse do t’i shtjerrë mjetet juridike, por nuk ka marrë përgjigje. Gazeta do të vazhdojë monitorimin e këtij rasti, duke përfshirë edhe kundërshtimin që Mazrreku ka paralajmëruar se do ta bëjë.
Hulumtimi i plotë:
Avni Mazrrekut i Revokohet Titulli i Doktoratës për Shkak të Plagjiaturës