Gjykimi i ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit - Foto: KALLXO.com

Caktohet data e shpalljes së aktgjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit

Gjykimi ndaj ish-zyrtarëve të Agjencisë së Akreditimit, Ferdije Zhushi e Basri Muja, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e marrje të ryshfetit, si dhe të akuzuarit tjetër, Armend Mujës, i akuzuar për marrje te ryshfetit, po i afrohet fundi.

Në këtë proces gjyqësor, të gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Valbona Selimaj, Vesel Ismajli dhe Isuf Makolli, gjatë ditës së sotme u dha fjala përfundimtare.

Prokurori special  Naim Abazi në fillim të fjalës përfundimtare tha se ka hequr dorë për pikën 2 të aktakuzës, për marrje të ryshfetit ndaj Armend Mujës, për arsye se ka arritur parashkrimi relativ për këtë vepër penale.

Ndërsa sa u përket pikave të tjera të aktakuzës deklaroi se u qëndron pranë, “për shkak se janë vërtetuar të gjitha provat dhe se të akuzuarit kanë bashkëpunuar me qëllim të përfitimin pasuror”.

Për këto pika, prokurori special kërkoi që Gjykata të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, si dhe dënimet e tyre të jenë të ashpra.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Avni Mazrrekut, avokati Samedin Cena, në fjalën përfundimtare deklaroi se mosakreditimi  i programit ka qenë në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku sipas tij raporti nga ekspertët e jashtëm ka qenë pozitiv, ndërsa në vendimin përfundimtar është cekur se nuk akreditohet programi për Kolegjin ISPE.

Kjo mënyrë e vendosjes ka qenë në kundërshtim me praktiken e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, por qëllimi i KShC ka qenë që të dëmtohet Kolegji ISPE, shtoi  avokati.

Gjithashtu, përfaqësuesi i palës së dëmtuar – Kolegjit Universum , Suad Berisha, në fjalën përfundimtare deklaroi se e mbështet fjalën e Prokurorisë  dhe shtoi se “kërkesën për ryshfet ku i akuzuari Armend Muja e ka bërë publike edhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor, me të cilën ka deklaruar se Kolegji Universum  ia ka borxh 9.800 euro, kërkesë kjo e thënë në hotelin “Swis Diamond”,  me të cilën thuhet se shkoni barazohu nëse doni akreditim dhe  në vitin 2013 edhe në pritje te kësaj Ferdije Zhushi -Etemi më 3 korrik 2013, ka nënshkruar një vendim ne emër të KShC, ku Kolegjit Universum i akreditohen njësitë e programit për qytetin Prizren dhe Gjakovë, tha Suad Berisha.

Ai theksoi se në pritje të mitëdhënies, Ferdije Zhushi – Etemi më 8 korrik 2013, pa shfuqizim paraprak ka sjellë një vendim të falsifikuar ku aty thuhet se Kolegjit Universum nuk i akreditohen njësitë për Prizren dhe Gjakovë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Basri Muja, avokati Berat Tmava, në fjalën përfundimtare të tij tha se kjo çështje penale ka pasur të përfundojë, mirëpo i dëmtuari Avni Mazrreku ka pasur për qëllim zvarritjen e kësaj procedure dhe se qëllim i tij ka qenë dëmtimi i imazhit të të akuzuarve, dhe se me asnjë provë nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer ndonjë vepër penale për të cilën po akuzohen.

Avokati kërkoi që dëshmitë e të dëmtuarit mos të merren si provë për arsye se ai ka ofruar së paku katër versione në lidhje me këtë çështje penale.

I akuzuari Basri Muja ne fjalën përfundimtare të tij deklaroi se pas largimit tim dhe të Ferdijes nga Agjencia, pronarët e kolegjeve kishin vazhduar me paraqitje të rrejshme të stafit akademik, dhe se ish-kryetarja Zhushi ishte e kërcënuar edhe pas dorëheqjes së saj nga Agjencia.

Po ashtu, avokati kërkoi që klienti i tij të lirohet nga akuza me arsyetim se asnjë provë, në asnjë fazë, nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale.

Ndërsa, përfaqësuesi i të akuzuarës Ferdije Zhushi- Etemi, avokati Dritëro Kellqaku, në fjalën përfundimtare tha se  nga deklaratat e të dëmtuarve në këtë shqyrtim gjyqësor, në pyetjet e kryetarit te trupit gjykues, “se a ju kanë kërkuar ndonjë para zonja Zhushi ose a i keni dhënë të holla?”, të njëjtit kanë deklaruar se “jo nuk kemi dhënë të holla”.

Më tej, avokati tha se Avni Mazrreku e ka kërcënuar disa herë Ferdije Zhushin, e cila edhe kishte bërë kallëzim penal ndaj tij.

Në fund, avokati  propozoi që  Gjykata të marrë aktgjykim lirues për të akuzuarën sepse, sipas tij, me asnjë provë nuk është vërtetuar se Ferdije Zhushi –Etemi ka kryer vepër penale.

Fjalën përfundimtare e dha edhe e akuzuara Ferdije Zhushi, e cila deklaroi se i gjithë ky proces është ndërmarrë me qëllim për të ndryshuar vendimet e Akreditimit.

“I gjithë ky proces është ndërmarrë  me qëllim, nga mënyra e arrestimit tim, cenimit te integritetit tim personal dhe presionit mbi mua si kryetare e KShC, për të ndryshuar vendimet e Akreditimit”, tha Zhushi- Etemi.

“Kam cekur edhe më herët që në proces  kam qenë e kërcënuar  dhe për këtë  kam ofruar prova nga të dy institucionet që kanë bërë padi për neve. Por, më shumë Kolegji Universum, ka provuar të gjitha metodat e korruptimit tim, kërcënimit tim fizik, njollosjet në media, dhe pas të gjitha dëshmive e vetmja mënyrë për të më shantazhuar ka qenë duke përdorur Armend Mujën, i cili ka qenë i punësuar te Kolegji Universum,  duke mos kuptuar se unë nuk kisha kurrfarë lidhje me Armendin, as private as personale dhe as profesionale”, tha e akuzuara Ferdije Zhushi- Etemi.

Në fund ajo tha se i janë dashur katër vite për të argumentuar me prova se nuk është fajtore dhe se nuk ndihet fajtore, andaj shtoi se pret nga Gjykata vendim të duhur për këtë çështje penale.

Fjalën përfundimtare të tij e dha edhe mbrojtësi i ti akuzuarit Armend Mujas, avokati Ramë Gashi.

Avokati deklaroi se Armend Muja asnjëherë nuk ka qenë zyrtar i Akreditimit dhe se asnjë provë nuk është  ofruar që ka qenë zyrtar i Agjencisë kur është kryer vepra penale.

“Akuzat ndaj Armend Mujës janë të paqëndrueshme, deklaratat e dëshmitarit Suad Berisha nuk janë të besueshme…”, tha avokati Gashi.

Fjalën përfundimtare e dha edhe i akuzuari Armend Muja, i cili deklaroi se në Kolegjin Universum kishte punuar 31 muaj dhe se edhe pagesën e tij s’ka mundur ta kërkonte nga drejtori i këtij Kolegji.

Ai tutje theksoi se asnjëherë  në jetën e tij s’i ka kërkuar  askujt ryshfet.

“Kurrë në jetën teme s’i kam marrë kurrkujt asnjë cent”, tha Armend Muja.

Në fund të shqyrtimit gjyqësor, kryetarja e trupit gjykues Valbona Selimaj mori vendim që shpallja e aktgjykimit te bëhet më 29 janar.

https://kallxo.com/ferdije-zhushi-kam-qene-e-kercenuar-nga-hyrja-deri-ne-dalje-nga-kolegji-ispe/

Në këtë proces gjyqësor Basri Muja dhe Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Ndërsa Armend Muja akuzohet për marrje të ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.

Në kohën për të cilën akuzohen, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj Agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të vitit 2015, pak ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës në UNDP, u arrestuan në nëntor të vitit 2014.

Për këtë rast i akuzuar ishte edhe Naim Braha që ngarkohej për dhënie të ryshfetit, por Brahës i është vjetërsuar lënda.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.