Karaçevë - 18.09.2020, Foto:Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Raportimi i shefit të IPK-së për aksionin në Karaçevë mbahet me dyer të mbyllura
Aksioni në fshatin Karaçevë i 18 shtatorit dhe detajet e hetimit dhe zhvillimit të aksionit mbetën të diskutohen pa praninë e mediave në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve dhe masave të përdorura në rast. Kërkesën që mediat të mos marrin pjesë në raportimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hoda para Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mborjtje fillimisht e bëri vetë Hodaj ndërsa disa nga anëtarët e komisionit u akorduan që detajet në këtë rast të mos diskutohet në prani të mediave.
Në mënyrë të përgjithshme në lidhje me aksionin u përgjigj vetë U.D. i Kryeshefit të IPK-së, Kushtrim Hoda.
“Ka një vit që kanë filluar veprimet hetimore për këtë rast kemi marrë informacion se janë një numër i policëve që janë përfshirë në vepra penale. Duke u bazuar në informacione kemi ardhur edhe deri të aksioni. Është realizu një plan i përbashkët, janë arrestuar 12 zyrtar policor për përfshirje në kontrabandë dhe lojëra fati, janë bastisur disa objekte në disa lokacione në atë pjesë”, shtoi Hodaj.
Deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi, kërkoi te dijë se përveç policëve edhe sa qytetar janë arrestuar si dhe sa agjenci janë përfshirë në aksionin në fshatin Karaçevë.
Tutje Selimi kërkoi te dijë nëse ky aksion ka pasur mundesi te zhvillohej edhe më herët.
“Numri i të arrestuarve është 33, numri i agjencive të përfshira fillimisht kanë qenë të përfshirë IPK, ndërkohë ka rezultuar se ka edhe një numër i qytetarëve të përfshirë, por meqenëse numri ka qenë më i madh i qytetarëve hetimin e ka kryer policia e Kosovës. Hetimi u zhvillu përreth 1 vit ka pasur masa të fshehta dhe te gjitha veprimet kanë qenë në koordinim me prokurorinë e Gjilanit. Duke u koordinuar me palët e përfshira kemi konsideruar se kjo ka qenë koha e duhur për aksion. Sa i përket mediave, BIRN ka pasur marrëveshje edhe me Këshillin Prokurorial dhe atje kanë qenë me vendim të prokurores së rastit”, tha Hodaj.
Deputeti Hatim Baxhaku nga LDK kërkoi të dijë se cilat janë masat e ndërmarra të efikasitetit për aksionin në fshatin Karaçevë. Baxhaku kërkoi te dijë nëse ka pasur më shumë zyrtar policor të hetuar për aktivitete joligjore në Karaçevë.
“Kanë qenë duke u hetuar 12 policë dhe janë arrestuar. Natën e parë 11 ndërsa një dite me pas eshtë paraqitur në stacion dhe ai është arrestuar”, tha Hodaj.
Mbrëmjen e 18 shtatorit, Prokuroria në Gjilan në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, Policinë e Kosovë dhe disa agjenci të tjera kryen nje aksion dhe bastisje në fshatin Karaçevë ku u arrestuan 33 persona ndërsa u rrënuan 12 objekte të cilat funksiononin si kazino ilegale.
Nga 33 të arrestuarit, 12 nga ta janë zyrtar policor që dyshohen për kontrabandë dhe organizim të lojërave të fatit.