Foto: ZKM

Hoti kërkon masa urgjente ndaj zyrtarëve policorë që e keqpërdorin detyrën

Zyra e Kryeministrit njofton që Avdullah Hoti ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dhe kryeshefi i Inspektoratit të Policisë Kushtrim Hodaj, që menjëherë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj çdo zyrtari policor i cili keqpërdorë detyrën, duke theksuar se këto sjellje janë të papranueshme.

Gjatë takimit të sotëm, Hoti ka kërkuar nga Inspektorati Policor të trajtojë me shumë përkushtim të gjitha ankesat e qytetarëve që vijnë në adresë të policisë, të jenë këmbëngulës dhe të pakompromis në respektimin e etikës dhe sjelljes profesionale të policisë.

“Kryeministri Hoti, theksoi se nuk duhet lejuar që rastet e izoluara të dëmtojnë imazhin e policisë së Kosovës, institucionit më të besuar nga qytetarët për vite me radhë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Të dielën, Policia e Kosovës me anë të një njoftimi ka thënë se ka përcjellë me shqetësim videot e publikuara ditët e fundit në disa media, ku shfaqen zyrtarë policorë që dyshohen se kanë tejkaluar autorizimet ligjore.

“Policia e Kosovës garanton qytetarët e vendit se nuk do të lejohet abuzimi me ligjin dhe as paraqitja ndryshe e imazhit të institucionit të Policisë, përveç siç është vlerësuar deri më tani si ndër institucionet më të besueshmet dhe më profesionale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

PK është sqaruar edhe në lidhje me një video që ka qarkulluar dje në një nga portalet online deri sa shihet arrestimi i njërit nga personat e dyshuar për shoqërimin e tij në Polici.