Ramosaj: Rruga Deçan-Plavë do të shtrohet patjetër

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, në vizitën në Manastirin e  Deçanit së bashku me Kryeministrin Avdullah Hoti, tha se janë rrugës për të zgjidhur problemet me të cilat po përballet Deçani në lidhje me shtrimin e rrugës Deçan-Plavë

Ai gjithashtu shtoi se ka vetëm një zgjidhje e se ajo do jetë në të mirë të dyja palëve, qytetarëve dhe Manastirit.

“Ne patëm një takim me komunën dhe me atin Sava Janjiq në  Manastirin e Deçanit dhe besoj që jemi në rrugë për të zgjidhur të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet Deçani. Në këtë rast do jetojmë këtu bashkë dhe zgjidhja duhet të jetë e përbashkët.Ka shumë konteste, kurse është vetëm një zgjidhje, në të mirë të qytetarëve dhe në të mirë të Manastirit,” ka thënë Ramosaj.

Në pyetjen nëse do të shtrohet rruga Deçan-Plavë, Ramosaj tha “Patjetër, patjetër që po, rruga do shtrohet,” ka shtuar Ramosaj.

Vizita në Manastirin e Deçanit u bë për arsye të ndërprerjes së punimeve në rrugën Deçan-Plavë, pasi Manastiri po kërkon që kjo rrugë të mbetet e karakterit lokal.