Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rama për dinarin serb: Kosova duhet të vendosë komunikim me aleatët për çdo hap që mund të krijojë krisje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, teksa ka folur për çështjen e dinarit serb ka thënë se Kosova duhet të ketë komunikim me aleatët strategjikë lidhur me çdo hap që mund të krijojë krisje të raporteve.

Megjithatë, sipas Ramës, lidhur me ketë çështje Kosova është në të drejtën e saj.

“Unë nuk dua të jap asnjë leksion për askënd, dua vetëm të them se nga njëra anë Kosova është në të drejtën e saj dhe duhet kuptuar dhe mbështetur nga të gjithë ata që e njohin si shtet kur përpiqet të zbatojë Kushtetutën e saj. Kosova përmes autoriteteve që e përfaqësojnë duhet të vendosë komunikimin me aleatët tanë strategjikë mbi veprimin e pakoordinuar dhe mbi çdo hap që mund të krijojë situata, përplasje, krisje në raport me këta aleatë të pazëvendësueshëm”- ka thënë më 14.02.2024 Edi Rama në një intervistë për ATV.

Rama tutje ka theksuar se çështjet me Serbinë Kosova duhet t’i diskutojë në kuadër të dialogut.

Ndërsa ka përsëritur që mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte e pakuptimtë.

“Këshilli i sigurimit nuk duhet të behet vendi ku diskutohet Kosova dhe kundërshtitë e saj me Serbinë, Kosova është shtet i pavarur do apo nuk do Serbia, e njohin apo se njohin ata që ende nuk e njohin dhe çështjet që ka me Serbinë Kosova i diskuton e barabartë në tryezën e dialogut. Nuk ka asnjë kuptim që Kosova të thirret atje, të shkoj dhe të përplaset. Për mua është një kthim prapa”- ka thënë ai.

Tutje Rama ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke theksuar se Kosova ka bërë një hap domethënës me pranimin e draft-statutit.

“Është shumë e rëndësishme të thuhet që Kosova bëri një hap domethënës në pranimin e Asociacionit dhe kjo është çështje që duhet trajtuar si e natyrës ligjore dhe fokusi i politikës duhet të jetë që të kontribuojë me argumentet ligjore dhe jo të vazhdojë të përplaset se është tradhti apo është largpamësi”- u shpreh ai.

Rregullorja e BQK-së, e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 01.02.2024, me gjithë trysninë e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.

Diplomatët perëndimorë dhe organizata e institucione të ndryshme kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të shtyjë zbatimin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar se Rregullorja e BQK-së nuk nënkupton ndalimin e dinarit serb.

Kundër zbatimit të kësaj Rregulloreje, qytetarë të komunitetit serb në Kosovë, më 12.02.2024 kanë protestuar në Mitrovicën e Veriut.