Prishtina. Pamje nga droni: BIRN

Rama njofton për punimet në rrugën “Nekibe Kelmendi”, përmend edhe ndërtimin e një rrethrrotullimi

Me intensitet të lartë janë duke u zhvilluar punimet për ndërtimin e rrugës “Nekibe Kelmendi”.

Kështu të paktën ka thënë i pari i Prishtinës, kryetari Përparim Rama.

“Pasi të përfundojë pjesa tjetër e rrugës nga Gorenje në Veternik, ku do të ndërtohet një rrethrrotullim, trafiku në këtë zonë do të lehtësohet ndjeshëm, duke përmirësuar qarkullimin për të gjithë qytetarët” – tha Rama.

Ai po ashtu falënderoi Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për bashkëpunimin e tyre dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

“Jemi të përkushtuar që të punojmë pa pushim në çdo cep të kryeqytetit për të përmirësuar infrastrukturën dhe trafikun në Prishtinë” – theksoi Rama.

Kryetari shtoi se ky projekt është vetëm një nga shumë iniciativat që po ndërmarrin për të transformuar kryeqytetin.

Rama tha se Prishtina po transformohet dhe së bashku po ndërtojnë një qytet më të mirë për të gjithë.