Rama në samit: Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se prania e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy në Tiranë, është kujtesë që presidenti rus, Vladimir Putin nuk ia ka dalë.

Në samitin “Ukrainë- Europa  Juglindore”, Rama tha se lufta në Ukrainë është një katastrofë e ngjizur nga vendimi i vetëm një njeriu, duke iu referuar Putinit.

“Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve nuk e zgjodhëm, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i vetëm një njeriu, i drejtuar nga ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është një kujtesë që ai nuk ia ka dalë, e që pavarësisht fuqisë së saj ushtarake e propagandës toksike, Rusia neoimplerialiste nuk ia ka dalë të përmbysë Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin ukrainas që të jetojnë në një vend të lirë”- tha Rama.

Kryeministri Rama tha se e ardhmja e përbashkët është kur jetojmë në paqe me fqinjtë, kur punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë dhe kur qëndrojmë në miqësi me botën.

“Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, fytyra miqësore. Pas një historie të gjatë luftërash konfliktesh, marrëdhëniesh të ngrira të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë për t’u takuar, për të folur mbi sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona, pavarësisht asaj për të cilën ende nuk mund të biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni”- vlerësoi Rama.

Ai tha se Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë bashkë për të mobilizuar kapacitetet dhe për të përforcuar lidhjet e brendshme.

“Duhet të vazhdojmë të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor të qëndrojmë së bashku të mobilizojmë kapacitetet tona të përforcojmë lidhjet tona. Ajo se çka na bën bashkë institucionet tona, organizatat tona e që forcon demokracitë tona është të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm”- deklaroi Rama.

Zelenskyy po qëndron në një vizitë zyrtarë në Shqipëri, si bashkëorganizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që nisi punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e liderëve  nga  Europa  Juglindore dhe Ballkani Perëndimor më 28.02.2024.

Në këtë takim liderët diskutojnë rreth mundësisë për t’i ofruar mbështetje Ukrainës dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe Evropës.

Që vizita e Zelenskyyt të përcillet pa ndonjë incident, Policia në Shqipëri në bashkëpunim me Gardën e Republikës, janë angazhuar me masa të rrepta sigurie, duke njoftuar se disa rrugë do të jenë të bllokuara në kohë të ndryshme gjatë lëvizjes se delegacionit nëpër kryeqytet.

Zelenskyy ka mbërritur në Shqipëri më 27.02.2024. Aeroplani i presidentit ukrainas, u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë rreth orës 23:00 të së martës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Në kundërpërgjigje të Rusisë, vendet perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë vendosur sanksione të ashpra.

Zelenskyy në samitin në Tiranë: Humbja dhe dështimi i Putinit, janë siguria jonë