Rakiq pranon fajësinë për mosdeklarim të pasurisë, dënohet me gjobë dhe burgim me kusht

Goran Rakiq, në cilësinë e ministrit për Komunitete dhe Kthim (pozitë të cilën nuk e ushtron aktualisht) është dënuar nga Gjykata e Prishtinës me 3 muaj burgim me kusht dhe gjobë prej 1 mijë eurosh për mosdeklarim të pasurisë.

Rakiq ka arritur Marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë e Prishtinës, dhe dënimi i rekomanduar në marrëveshje ishte ai që iu shqiptua nga Gjykata, më 19.06.2024.

Ai akuzohet së në formularin e dorëzuar të deklarimit të pasurisë për vitin 2020, nuk kishte paraqitur saktë të dhënat, duke mos deklaruar të ardhurat si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe në Ndërmarrjen Publike në Mitrovicë.

Sipas Prokurorit Ali Ajdini, Marrëveshja është bërë pas intervistimit të të pandehurit në zyren e prokurorit.

Avokati Asdren Hoxha i cili mbron të akuzuarin tha se kjo marrëveshje është bërë duke u nisur nga arsyeja e ekonomizimit të procedurës, gjetjes së të vertetës reale dhe në interes të drejtësisë. Kurse, i akuzuari është njoftuar me benefitet dhe pasojat e marrëveshjes të pranimit të fajësisë.

Në seancën e shqyrtimit të marrëveshjes prezent kishte edhe përfaqësues të Agjencisë kundër Korrupsion, Gani Nikçi i cili e mbështeti marrëveshjen e arritur mes prokurorit dhe të pandehurit.

Gjyqtarja e rastit Naime Kraniqi e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë duke thënë se e njëjta nuk ka asnjë të metë faktike e juridike.

Goran Rakiq, ekonomist i diplomuar ka qenë pjesë e jetës institucionale të Republikës së Kosovës.

Kush është Goran Rakiq dhe cilat ishin pozitat e tij në institucionet e Kosovës?

Rakiqi, serb etnik i Kosovës ka shërbyer si ministër, nga 22.03.2021 deri më 05.11.2022, pra deri atëherë kur të gjithë zyrtarët serbë dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me vendim të Qeverisë së Kosovës, më 01.12.2022, Rakiq ishte liruar nga pozita e ministrit.

Para se të jetë ministër në Qeverinë Kurti, Rakiq shërbeu si zëvendëskryeministër i Kosovës dhe si ministër i Pushtetit Lokal në Qeverinë jetëshkurtër të udhëhequr nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, që u rrëzua me vendim të Gjykatës Kushtetuese më 03.06.2020.

Më parë, në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër, përkatësisht në vitin 2016, Rakiq ka qenë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi ishte betuar për Republikën e Kosovës në vitin 2014.

Ai fitoi mandatin e tij të dytë 4-vjeçar në zgjedhjet lokale që u mbajtën në Kosovë në vitin 2017.

Që nga viti 2017, Rakiq ka qenë kryetar i Listës Serbe – parti e cila udhëhoqi dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të dhjetë vendet e garantuara në Kuvendin e Kosovës për komunitetin serb, deri në dorëheqjen e tyre në nëntor të vitit 2022.

Rakiq në seancën e Kuvendit të Serbisë kishte thënë në mandatet si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut, e ka zgjedhur populli serb e jo institucionet e Kosovës.

Rakiq më nuk është as pjesë e strukturës në Listën Serbe.

Më 24.10.2023, në krye të Listës Serbe u zgjodh Zlatan Elek, i cili që nga viti 2020 ka qenë drejtor i Spitalit në Mitrovicë të Veriut – institucion që funksionon me sistemin serb.

E gjithë loja ndryshoi kur zyrtarët serbë lëshuan institucionet e Kosovës, meqë rast Goran Rakiqit i dha mundësinë që të kandidojë për deputet nga radhët e partisë së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 17.12.2023.