Rajoni Nagorno-Karabakh do të pushojë së ekzistuari nga viti tjetër  

Republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakut do të pushojë së ekzistuari nga viti i ardhshëm pasi presidenti i saj nënshkroi një dekret për shpërbërjen e institucioneve shtetërore pas disfatës së saj nga Azerbajxhani.

Fitorja e Azerbajxhanit javën e kaluar shkaktoi një eksod të madh të armenëve etnikë që jetonin në Nagorno-Karabakh dhe shënoi fundin e dekadave të konfliktit – dhe potencialisht fundin e prezencës me shekuj për armenët në atë rajon.

Dekreti i Presidentit Samvel Shahramanyan u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave të Republikës së Artsakhut – e cila nuk njihet ndërkombëtarisht – të shërbëhën duke filluar nga 1 janari i vitit 2024. “Republika e Nagorno-Karabakut (Artsakh) e pushon ekzistencën e saj”, thuhet në dekret.

Azerbajxhani e rimori kontrollin e rajonit të shkëputur javën e kaluar pas një ofensive që zgjati vetëm 24 orë.

Nagorno-Karabakh shtrihet brenda kufijve të Azerbajxhanit, mirëpo për dekada ka operuar në mënyrë autonome me një qeveri të saj de fakto.

Azerbajxhani ka qenë prej kohësh i qartë për zgjedhjen me të cilën përballen armenët e Karabakut: qëndroni dhe pranoni nënshtetësinë Azerbajxhane ose largohuni. Shumica e popullsisë tashmë ka vandosur si si të veprojë: dhjetëra mijëra janë armenë etinkë larguar nga shtëpia e tyre stërgjyshore në vend që t’i nënshtrohen sundimit të Bakut.

Si ndodhi një gjë e tillë?

Pas shumë luftërave të përhershme dhe armëpushimeve të brishta, e papritura me të cilën Nagorno-Karabakh ra në duart e trupave Azerbajxhane – dhe me të cilën popullsia e saj armene etnike është përpjekur të evakuohet – ka qenë befasuese.

Azerbajxhani nisi ofensivën e tij më 19 shtator, duke sulmuar me raketa dhe dronë në kryeqytetin rajonal të Stepanakertit në atë që shënoi fillimin e një lufte të tretë për kontrollin e rajonit në po aq dekada.

Nën Bashkimin Sovjetik, ku Azerbajxhani dhe Armenia janë të dy ish-anëtare, Nagorno-Karabakh u bë një rajon autonom brenda Republikës së Azerbajxhanit.

Zyrtarët e Karabakut e kishin miratuar një rezolutë në vitin 1988 duke e deklaruar synimin e saj për t’u bashkuar me Republikën e Armenisë, duke shkaktuar kësisoji shpërthimin e luftimeve ndërkohë që Bashkimi Sovjetik filloi të shpërbëhet, në atë që u bë Lufta e Parë e Karabakut. Rreth 30,000 njerëz mbetën të vrarë gjatë gjashtë viteve të dhunës, e cila përfundoi në vitin 1994 kur pala armene mori kontrollin e rajonit.

Pas vitesh me përplasje sporadike, Lufta e Dytë e Karabakut filloi në vitin 2020. Azerbajxhani, i mbështetur nga aleati i tij historik Turqia, e rifitoi një të tretën e territorit të Karabakut në vetëm 44 ditë, përpara se të dyja palët të binin dakord për një ndërprerje të luftimeve me ndërmjetësimin e Rusisë.

Mirëpo lufta e tretë zgjati vetëm një ditë. Presidenca e Karabakut tha se ushtria e saj ishte për “disa herë më e madhe” në raport me forcat e Azerbajxhanit dhe nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të dorëzohej dhe të binte dakord për “shpërbërjen dhe çarmatimin e plotë të forcave të saj të armatosura”, deri në momentin në të cilën Azerbajxhani kishte vrarë të paktën 200 njerëz dhe kishte plagosur qindra të tjerë. Një armëpushim i dytë – i ndërmjetësuar gjithashtu nga Rusia – hyri në fuqi në orën 13:00 më 20 shtator.

Shpejtësia e dorëzimit të Karabakut ishte një masë e inferioritetit të tij ushtarak. I armatosur me dronët turq, Azerbajxhani shënoi një fitore dërrmuese në vitin 2020, duke sulmuar jo vetëm Nagorno-Karabakun, por edhe vetë Armeninë. Ndryshe nga viti 2020, forcat e armatosura të Armenisë nuk u përpoqën ta mbronin rajonin e lartcekur gjatë ofensivës më të fundit – pjesërisht nga frika e agresionit të mëtejshëm të Azerbajxhanit.

“Ata kanë një avantazh të tillë që mund ta ndajnë me lehtësi Armeninë në dysh”, tha për CNN Olesya Vartanyan, analiste e lartë e Grupit të Krizave për Kaukazin e Jugut. “Vetëm përmes një operacioni shumë të shkurtër ushtarak. Ndoshta një ose dy ditë që kjo të ndodhë”.

Dëshpërimi i Karabakut ishte triumfi i Bakut. Në një fjalim drejtuar kombit të mërkurën në mbrëmje, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev njoftoi se forcat e tij “e kishin ndëshkuar armikun siç duhet” dhe se Baku zyrtar e kishte rivendosur sovranitetin e tij “me një dorë të hekurt”.

Shahramanyan, presidenti i rajonit, deklaroi të enjten se e ka nënshkruar dekretin “për shkak të situatës aktuale të vështirë ushtarako-politike”. Presidenca e Azerbajxhanit kishte këmbëngulur më parë që qeveria e Artsakhut – si dhe forcat e saj të armatosura – të shpërbëheshin gjithashtu. Ai paralajmëroi nëse nuk do ta bënin këtë, se ofensiva do të vazhdonte “deri në fund”.

Çfarë ndodh tash e tutje?

Një ditë pas armëpushimit, Baku dërgoi përfaqësues për t’u takuar me zyrtarët e Karabakut dhe për ta diskutuar “riintegrimin”. Pak detaje u publikuan nga bisedimet, por Azerbajxhani ka qenë prej kohësh i qartë në lidhje me zgjedhjen me të cilën përballen armenët etnikë në rajon.

Në një fjalim të mbajtur në maj, ai tha se zyrtarët e Karabakut duhet ta “lakojnë qafën” dhe ta pranojnë integrimin e plotë në Azerbajxhan.

Farid Shafiyev, kryetar i Qendrës së Analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Baku – një organizatë e përfshirë në diskutimet e qeverisë për “riintegrimin” – tha për CNN se “ata që nuk duan ta pranojnë juridiksionin e Azerbajxhanit, duhet të largohen. Ata që duan të qëndrojnë dhe t’i marrin pasaportat janë të mirëpritur të qëndrojnë”.

Aliyev pretendon se të drejtat e armenëve të Karabakut “do të garantohen”, por kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan dhe ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e spastrimit etnik.

Për shumë armenë të Karabakut, “zgjedhja” e ofruar nga Azerbajxhani nuk ishte aspak zgjedhje. “Unë nuk mund t’u besoj atyre, premtimeve të tyre të rreme”, tha për CNN Siranush Sargsyan, gazetar lokal me seli në Stepanakert.

Anna Ohanyan, studiuese e lartë në programin e Rusisë dhe Euroazisë në Carnegie Endowment for International Peace, tha se ka frikë se çfarë do të ndodhë me banorët vendas që zgjodhën të qëndronin dhe u përpoqën ta refuzonin nënshtetësinë Azerbajxhan.

“Nëse komuniteti armen nuk do të largohet, por gjithashtu nuk do t’i pranojë pasaportat e Azerbajxhanit, unë mendoj se në thelb kjo do të ishte vetëvrasje”, tha Ohanyan për CNN./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala