Foto: Komuna e Mitrovicës

QKMF në Mitrovicë pajiset me rentgen digjital

Qendra e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë është pajisur me rentgen digjital, investim në vlerë prej 100 mijë euro të cilin e ka bërë komuna e Mitrovicës.

Në përurim ishin të pranishëm kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, drejtoresha e shëndetësisë në këtë komunë Erseka Hasanaj dhe bashkpunëtorë të tjerë komunal.

Bahtiri në një fjalë rasti ka thënë se një aparaturë e tillë iu është dashur qytetarëve të Mitrovicës.

“Sot kemi për ta përuruar aparaturën që i është nevojitur gjatë Mitrovicës, është teknologjia e fundit e cila ka kushtuar mbi 100 mijë euro, e kemi vendosur në QKMF këtu për shërbimin e qytetarëve, është e digjitalizuar me teknologjinë me të përsosur dhe shpresoj që qytetarët do të jenë mirënjohës për këtë “, tha Bahtiri.

Kurse Drejtoresha e Shëndetësisë Erseka Hasanaj ka thënë se ky është investimi më i madh i drejtorisë përkatëse, që është bërë në 20 vitet e fundit.

Hasanaj gjithashtu ka thënë se shërbimin e fotografimit qytetarët me këtë aparature mund ta marrin me vetëm dy euro.

“Kemi blerë këtë aparaturë duke marr parasysh kërkesën e qytetarëve. Blerja e kësaj aparature do të thotë kursim në kohë dhe kursim në mjete financiare për qytetarët e komunës së Mitrovicës, sepse këtë shërbim të radiografisë do ta marrin në më pak se tre minuta…natyrisht qytetarët nuk do të drejtohen më në institucione private pasi që këtë shërbim mund ta marrin me vetëm 2 euro në QKMF “, tha Hasanaj.