Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti 18.09.2023 Foto: Valon Fana/ KALLXO.com

Qindra apo dhjetëra? Statistikat e papërputhshme të Kurtit për milionat e drogës

Dy deklarata për një punë të njëjtë, por të dhëna në periudha e për periudha të ndryshme, nuk po i përputhen kryeministrit Albin Kurti.

Çështja e shkatërrimit të laboratorëve të drogës e të narkotikëve ka bërë që Kurti sot pas nëntë muajve të dalë me një deklaratë që e zhvleftëson deklaratën e dhënë në janar.

Materialet e publikuara në faqen e kryeministrit dëshmojnë se Kurti ka ndryshuar fjalët gjatë publikimit të statistikave në raport me punën e Policisë së Kosovës.

Në fillim të vitit, Kurti kishte publikuar për shumicën e sektorëve punën që është bërë gjatë vitit 2022.

Ai kishte folur edhe për punën që kishte kryer Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar, duke thënë se për një vit Policia kishte shkatërruar laboratore të drogës në vlerë qindra milionëshe.

“Shkatërruam 5 laboratore të drogës në veri të Kosovës, me vlerë qindra milionëshe në substanca dhe në pajisje si dhe 3 laboratore për prodhimin e kriptovalutave, po ashtu në veri” – kishte thënë shefi i Qeverisë më 9 janar 2023.

Mirëpo, nga vlera qindra milionëshe, kryeministri ra në vlerë dhjetëra milionë, e po ashtu zgjeroi periudhën kohore.

Kurti sot, më 18 tetor 2023, teksa prezantoi punën e Policisë, kësaj radhe për dy vjet e gjysmë tha se “vlera e narkotikëve dhe pajisjeve të laboratorëve të drogës arrin deri në 40 milionë euro”.

Kurti në postimin e tij të sotëm tha se gjatë dy viteve e gjysmë janë kryer mbi një mijë operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, dhe se Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona për vepra të rënda penale, në mesin e cilëve mbi 300 zyrtarë publikë.

“Ajo [Policia e Kosovës] sot ka 850 policë të rinj nga radhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend. Falë punës së institucioneve të sigurisë, janë lokalizuar dhe shkatërruar 16 laboratorë të drogës, prej tyre nëntë në veri të vendit. Në total, në dy vjet e gjysmë, në gjithë territorin e Republikës, janë konfiskuar 2.2 ton substanca narkotike” – ka thënë Kurti.

Tutje ai tha se mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave dhe se Dogana e Kosovës ka konfiskuar mall me vlerë 30.6 milionë euro, kurse vlera e parandaluar nga ana e Doganës së Kosovës në fushën e ekonomisë joformale është mbi 90 milionë euro.

“Në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë mbyllur gjashtë, respektivisht dy rrugë ilegale, përgjatë kufijve përkatës që ndajmë me këto dy shtete. Ndërkaq, në mënyrë të njëanshme, në pjesën veriore të Republikës deri më tani janë mbyllur 24 rrugë ilegale të cilat përdoreshin për kontrabandë, trafikim dhe kalim ilegal të kufirit nga struktura të krimit të organizuar” – tha Kurti.

Kryeministri tutje shtoi se janë ngritur nëntë stacione të reja policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit e sipas tij deri në vitin 2021 nuk kishte asnjë të tillë.

Po ashtu, i pari i Qeverisë së Kosovës tha se janë shkatërruar edhe gjashtë laboratorë për prodhimin e kriptovalutave.