Qeveria ndryshe, Escobar ndryshe: A është Asociacioni kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës?

Përderisa nga Qeveria e Kosovës thonë që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar më 15.03.2024 tha që Asociacioni është kusht për anëtarësim.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”- ka theksuar Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Ndryshe thotë zëvendësministri i Kosovës për Punë të Jashtme, njëherësh edhe Udhëheqës i Grupit Ndërinstitucional, Kreshnik Ahmeti në një intervistë për “KallxoPërnime”. Sipas tij, çështja e Asociacionit nuk mund të jetë pengesë as kusht shtesë për anëtarësim në KiE.

“Nuk mund të jetë pengesë se çështja e Asociacionit është çështje e një procesi tjetër që është në Bruksel me ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian dhe është një çështje që nuk ka dakordim as për modelin as për asgjë”- tha Ahmeti.

Këtë Ahmeti e arsyeton duke thënë se nuk mundet Këshilli i Evropës që të përfshihet në një proces tjetër që është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Nuk mundet Këshilli i Evropës, të bëhet levë apo instrument i një organizate tjetër e aq më shumë ta vlerësojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe sistemin e drejtësisë dhe legjislativ në një vend duke u bazuar në veprimet ose mosveprimet, me konstuktivitetin ose moskontruktivitetin e një shteti tjetër që është Serbia”- tha Ahmeti.

Sipas tij, për momentin gjenden në një situatë ku po flasim për një pjesë të një marrëveshje bazike nga e cila Serbia që nga 13.12.2023 edhe formalisht ka dalë, pra me letrën e kryeministres Brnabiq të dërguar me 13 dhjetor 2023 të Bashkimi Evropian konfirmohet që Serbia nuk është më pjesë e Marrëveshjes.

Dhënia e urdhërit nga kryeministri i Kosovës që të fillojë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë të Manastirit i Deçanit, u arsyetua se u vendos për shkak se në raportin e Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës (KiE) është paraparë si kusht kryesor për anëtarësim.

Në mesin e rekomandimeve ishte edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ata kërkuan nga Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, të respektojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mos dërgojë njësi speciale të policisë për detyra të zakonshme në pjesën veriore të Kosovës.

Më 13.03.2024 Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.

Sipas Kurtit, këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk ishte zbatuar.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Faktori ndërkombëtar mirëpriti vendimin e ekzekutivit kosovar.

“Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykata Kushtetuese , zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”  – thuhet në kumtesën e shteteve të Quint-it.