Qeveria propozon por nuk ia jep 5 milionë euro Telekomit të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka propozuar që Telekomit të Kosovës t’i ndahen 5 milionë euro.

Propozimi erdhi si masë “për të siguruar funksionimin normal dhe pa rrezikun e falimentimit të Telekomit të Kosovës”.

Por rreth këtij propozimi reagoi ministri në detyrë i Financave, Lulzim Rafuna.

“Prita që ministri i Zhvillimit Ekonomik me dhanë sqarim, nuk e di ku kemi me i marrë paret kur jemi tu funksionu me 1/12 e buxhetit. Nëse është mendu për buxhetin e 2020 atëherë tjetër”, tha ai.

Në mbledhje, u bë e ditur se mjetet janë kërkuar nga Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Më pas, kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje të ardhshme.