qeveria e kosoves

Qeveria propozon Agon Ramadanin në vend të Arbnor Tmavajt për anëtar të bordit të OShP-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar plotësim/ndryshimin e vendimit me të cilin i janë propozuar Kuvendit kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, OShP.

Më këtë miratim, në vend të Arbnor Tmavajt është propozuar Agon Ramadani për anëtar të bordit të OShP-së.

Vendimi do të procedohet për shqyrtim në Kuvendin.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 06/67 të datës 9 mars 2022, me të cilin i janë propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për kryetar dhe katër (4) anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.Me ndryshimin dhe plotësimin e vendimit, në vend të z. Arbnor Tmava është propozuar z. Agon Ramadani për anëtar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Vendimi do të procedohet për shqyrtim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, njofton qeveria.

Në fillim të marsit, Qeveria e Kosovës kishte propozuar Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Faruk Rexhaj, Dafina Gashi, Kimete Gashi, Vedat Pterqoj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahim dhe Vjosa Gradinaj Mexhuani për anëtarë dhe kryetar të bordit të OShP-së.

Kanë kaluar një vjet që kur Organi Shqyrtues i Prokurimit i njohur si Gjykata e Tenderëve ka mbetur pa bord.

Në mungesë të bordit deri në fillim të prillit janë grumbulluar 704 ankesa të kompanive kundër institucioneve, që kërkojnë zgjidhje në OSHP.

Derisa vlera e projekteve të cilat janë bllokuar në OSHP ka shkuar mbi 200 milionë euro për shkak të mungesës së bordit, organ ky që vendos për ankesat e kompanive. Nga ana tjetër, komunat e Kosovës po e konsiderojnë jetike zgjedhjen e bordit për projektet e tyre kapitale.

Një vjet pa bord, mbi 200 milionë euro investime të bllokuara në OSHP