Qeveria në detyrë do të ndaj paga shtesë për punëtorët e arsimit

Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se do të ndaj paga shtesë për punëtorët e arsimit, pas kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti sot ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e SBASHK të cilët i ka siguruar se pagesat shtesë për puntëorët e arsimit do të kryhen në dy këste.

“Kryeministri Hoti, fillimisht e ka përgëzuar kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, për punën e palodhshme dhe sfiduese të arsimtarëve në kushte të pandemisë, si dhe e ka siguruar që pagesa shtesë për punëtorët e arsimit do të kryhet në dy këste. Këstin e parë do ta marrin me pagën e muajit shkurt, ndërsa këstin e dytë me pagën e muajit maj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Tutje, është bërë e ditur se për shumën e pagesës do të koordinohen me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave.

Ndërsa sa i përket kërkesave për Kontratën Kolektive, kryeministri në detyrë ka deklaruar se ajo pritet të finalizohet të premten.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës 100 euro si pagë shtesë për punëtorët e arsimit si ndihmë për zhvillimin e mësimit gjatë kohës së pandemisë.

Prindërit i reagojnë SBAShK-ut: S’është e arsyeshme që çdo vit shkollor të përmenden grevat