Shkolla Fillore "Pjeter Bogdani", Prishtine, Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Prindërit i reagojnë SBAShK-ut: S'është e arsyeshme që çdo vit shkollor të përmenden grevat

Kryesia e Këshillit të Prindërve të Prishtinës ka reaguar pas deklaratatës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) se mësimi mund të mos fillojë më 18 janar siç është planifikuar nga Ministria e Arsimit.

Në reagim Këshilli thotë se ka analizuar deklaratën e fundit të SBAShK-ut me të cilën kërcënon me mosfillimin e mësimit nëse nuk bëhet pagesë shtesë (prej 100 euro në muaj) për mësimdhënësit sikurse për stafin e shëndetësisë dhe policisë.

Ata kanë deklaruar se nuk pajtohen që kjo të bëhet në kurriz ose dëm të një pale tjetër, e aq më pak jo në kurriz të një grupi të shoqërisë ose sektori shumë të ndjeshëm si fëmijët.

Ata e kanë quajtur të paarsyeshme që në çdo vit shkollor të përmenden grevat për përfitim material nga mësimdhënësit.

“Si prindër, besojmë se kemi të drejtë të bëjmë një gjykim të këtyre deklarimeve të vazhdueshme që nuk tingëllojnë aspak arsyeshëm, që në çdo vit shkollor na përmenden grevat për të vetmin qëllim: përfitimin material të mësimdhënësve. Jo, kontributi i mësimdhënësve (i disa dekadave) nuk mund të kompensohet me para! Dinjiteti dhe respekti shoqëror qëndron në maje të vetëpërmbushjes individuale!”, thuhet në reagimin e tyre të postuar në “Facebook”.

Ky është reagimi i plotë i Këshillit të Prindërve të Prishtinës:

REAGIM NDAJ DEKLARATËS SË SBASHK

Kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës e ka analizuar deklaratën e fundit të Sindikatës së Arsimit (SBASHK), me të cilën kërcënojnë me mosfillimin e mësimit nëse nuk bëhet pagesë shtesë (prej 100 euro në muaj) për mësimdhënësit sikurse për stafin e shëndetësisë dhe policisë.

Vlerësojmë të drejtën e garantuar ligjore që secili organizim qytetar a grupor interesash ka për të kërkuar mbrojtje ose avancim të drejtash, por nuk pajtohemi që kjo të bëhet në kurriz ose dëm të një pale tjetër, e aq më pak jo në kurriz të një grupi të shoqërisë ose sektori shumë të ndjeshëm, që janë fëmijët (pra arsimimi e edukimi i tyre).

Si prindër, besojmë se kemi të drejtë të bëjmë një gjykim të këtyre deklarimeve të vazhdueshme që nuk tingëllojnë aspak arsyeshëm, që në çdo vit shkollor na përmenden grevat për të vetmin qëllim: përfitimin material të mësimdhënësve. Jo, kontributi i mësimdhënësve (i disa dekadave) nuk mund të kompensohet me para! Dinjiteti dhe respekti shoqëror qëndron në maje të vetëpërmbushjes individuale!

E drejta jonë për të bërë këtë gjykim buron nga kontributi dhe ndihma e vazhdueshme në zhvillimin e procesit mësimor, por edhe sepse, ne prindërit, as nuk paguhemi e as nuk kërkojmë të paguhemi për gjithçka bëjmë për fëmijët tanë dhe vendin tonë. Ne besojmë, siç kemi mësuar nga vendet me histori qindra vjeçare, se shtetndërtimi ka në themel vullnetarizmin, vetëmohimin dhe angazhimin e pakushtëzuar qytetar e njerëzor. Dhe arsimi duhet të jetë në ballë e jo në bisht të shoqërisë.

Vlerësojmë se në këtë kohë pandemie, kur të gjithë së bashku: Ministri e Arsimit, Drejtori Komunale e Arsimit, drejtorë shkollash, mësimdhënës, staf teknik, prindër e fëmijë por edhe shoqëri civile e organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, janë mobilizuar dhe po japin kontribut të çmuar që mësimi mos të ndalet dhe fëmijët të mos pësojnë, deklarimi i SBASHK-ut nuk është as i qëlluar e as i duhur, si në formë e aq më pak në përmbajtje.

Shkollat nuk janë, dhe nuk mund të jenë, institucione arsimore ku gjithçka varet nga mësimdhënësi, e as nuk janë mësimdhënësit punëtor krahu. Që të kemi proces mësimor funksional patjetër duhet angazhim i të gjitha palëve, fakt të cilin e dinë shumë mirë mësimdhënësit. Andaj, përpjekja për t’i nxjerr vlerën monetare gjithçkaje, kur në fakt nuk është as e mundur as e synuar, e transformon kontributin e paçmuar të mësimdhënies në një pazar fruta-perimesh ku “dija dhe edukimi u shitkan me kilogram (!)”.

Andaj, si prindër, mendojmë se me këto deklarime SBASHK-u po e cenon të drejtën e fëmijëve në një kohë të rëndë e jonormale, po dalin përmbi hierarkinë institucionale arsimore në vend dhe, nëse vazhdohet kështu, do të dëmtohen pariparueshëm ekuilibrat e bashkëpunimit dhe bashkërendimit brenda shkollave.

Për këto arsye kërkojmë nga SBASHK që të reflektohet dhe të përmbahen nga këto deklarime në kohë pandemie por edhe kohë elektorale politike, që nëse kanë vullnet dhe ia duan të mirën edhe mësimdhënësve e edhe fëmijëve, të bashkërendojnë veprimet e tyre me të gjitha palët e interesit dhe jo njëanshëm të caktojnë afate, të hapin e mbyllin vetë vitin shkollor, që tingëllon dukshëm shantazhues, jolegjitim e as institucional.

Gjithashtu, ne nuk harrojmë asnjëherë angazhimin vetëmohues të mësimdhënësve, të cilin vlerësim jua deklarojmë vazhdimisht: në klasë, në shkollë, në mbledhje të Këshillave Drejtues dhe Task Forcë. Por as nuk mohojmë kontributin e stafit teknik, drejtorëve të shkollave, personelit tjetër ndihmës e as Drejtorinë Komunale të Arsimit, me gjithë stafin, që në Prishtinë kanë bërë një punë të shkëlqyer. E pa nxënësit, me prindërit a kujdestarët e tyre, e gjithë kjo strukturë, dhe i gjithë procesi edukativo-arsimor, nuk do të kishte as nevojë e as kuptim!

Për fund, Këshilli i Prindërve i Prishtinës, me të gjitha kapacitet që ka, e të cilat është i vendosur t’i shtojë, shpreh gatishmërinë e plotë për të ndihmuar dhe mbështetur, e jo për të ndarë e veçuar!

E drejta e fëmijëve tanë për arsimim edhe edukim nuk bën, dhe nuk mundet, mohuar!