Qeveria ndanë fonde për zbatimin e dy pakove të ringjalljes ekonomike

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka marrë dy vendime për ndarje të mjete buxhetore në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.

Propozimin e bëri Ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Është masë në vazhdim ku duhet të ndahen 60 mijë euro për masën 1.3 dhe masa 5 parashihen 100 mijë euro për programin për renovimi e departamentit të pensioneve” – ka thënë Murati.

Sipas masës 1.3 për secilën grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do të subvencionojmë 50% të pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional.

Qeveria po ashtu ka ndarë fonde edhe për zbatimin e masës 5 e cila është për investimi në infrastrukturë dhe ambient.

Kjo masë kap vlerën rreth 100 milionë euro të dedikuara për investime në projekte strategjike që kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturë rrugore e hekurudhore, si dhe me investime në ruajtjen e ambientit.

Po ashtu, në këtë aspekt ka edhe investime tjera që janë duke u bërë e që janë jashtë buxhetit, siç është rasti me investimin në filterët e TC Kosova B, investim ky që sillet rreth 90 milionë euro, ku shumica është garant nga fondet IPA të BE-së. Kjo do të përmirësojë dukshëm cilësinë e ajrit dhe jetën e banorëve në komunat përreth.

Pakoja e ringjalljes ekonomike, është pako e hartuar nga Qeveria e Kosovës për tu përballur me pasojat ekonomike që i ka shkaktuar pandemia COVID-19.