Qeveria ndan 600 mijë euro për mbështetje të prodhuesve

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se në kuadër të masës për mbështetjen e prodhuesve dhe eksportit do të mbështeten prodhuesit me 600 mijë euro.

“Pika e parë ka të bëjë me ndarjen buxhetore për mbështetje të prodhuesve vendor në kuadër të masës 2.4 për mbështetjen e prodhuesve dhe eksportit dhe bëhet fjalë për mbështetje shtesë prej 600 mijë euro, për gjithë prodhuesit për ata që janë të kualifikuar”- tha Murati.

Sipas Muratit, kjo mbështetje vjen në mënyrë që të ketë ngritje të kapaciteteve të stafit, personelit menaxhues por edhe personelit që merr pjesë në prodhimtari, të kenë mbështetje për rritje të cilësisë së produkteve duke përmirësuar edhe ambalazhin apo marketingun dhe të kenë mbështetje edhe për pjesëmarrje edhe në panaire.