Martin Berishaj, Foto:Facebook

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit: Nuk kemi pasur nevojë ta intervistojmë Martin Berishajn

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në mediat sllovene është diskutuar për përfshirje në një skandal financiar. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro “cash”.

Lidhur me këtë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se deri më tani ambasadori Berishaj nuk është intervistuar nga ana e tyre.

“Martin Berishaj nuk ka pasur nevojë të intervistohet prej neve. Ne kemi marrë dokumentet për secilin pretendim që e kemi pasur ne dhe i kemi marrë konfirmimet, por jo prej tij. Nëse kemi nevojë për ndonjë konfirmim shtesë ose për ndonjë sqarim do e kontaktojmë”, ka thënë drejtori i AKK-së.

Ai ka treguar se janë në përfundim të mbledhjes së informacioneve brenda territorit të Kosovës.

“Jemi gati në përfundimin e mbledhjes së informatave brenda vendit. Për këtë shumë shpejt do të dalim me vendimin tonë”, ka thënë Buleshkaj.

Tutje ai ka shtuar se një problem të cilin e kanë është mbledhja e informatave jashtë vendit.

Sipas tij, ky problem ekziston pasi Kosova nuk është anëtare e ndonjë traktati i cili do të mundësonte mbledhjen e informatave jashtë vendit.

“Kemi probleme me mbledhjen e informatave jashtë vendit për shkak se Kosova nuk është anëtare e një traktati i cili na kish mundësu neve mbledhjen e informatave nga agjencitë tona simotra në rajon dhe me gjerë, kështu që është pak problemi aty”, ka thënë Buleshkaj.

Buleshkaj ka thënë se edhe nëse nuk marrin të dhëna nga vendet e jashtme, në këtë rast për Martin Berishajn hetimet prapë nuk e mbyllen.

“Jo, ne informatat që i kemi i bartim në prokurori, prokuroria pastaj mund t’i përdorë kanalet tjera të cilat janë për vepër penale pastaj të merr informata direkt nga shtetet tjera”, ka thënë drejtuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Sipas tij, gjatë hetimeve kanë kontaktuar me prokurorinë dhe policinë për të parë nëse janë duke hetuar të njëjtat elemente.

“Ne jemi duke e bërë verifikimin e deklarimit të tij të pasurisë  dhe e kemi kontaktuar edhe policinë dhe prokurorinë mos edhe ata janë duke e hetuar elemente të njëjta”, ka thënë Buleshkaj duke shtuar se “Sipas përgjigjeve që i kemi pranu, ata nuk kanë qenë në atë kohë duke bërë hetime të tilla dhe ne kemi vazhdu hetimet tona”.

Drejtori i AKK-së ka treguar se kjo agjenci nuk ka qasje në transaksione financiare, mirëpo mund të kërkoj informata shtesë nga bankat, të cilat ka raste që mund të refuzohen.

“AKK nuk ka qasje në transaksione financiare, pagesa që iu kanë bërë dikujt. Nuk kemi direkt, ne mund t’i kërkojmë bankave diçka në qoftë se është  temë e hetimit. Bankat nganjëherë përgjigjen, nganjëherë jo”, ka thënë ai.

Më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

Berishaj supozohet t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘cash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Vetëm pas një dite, zyra e presidentes së Kosovës kishte njoftuar se presidentja, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori Martin Berishaj një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.

Po ashtu, ishte kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.

“Njoftojmë qytetarët se presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhej në njoftim të Presidencës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.

Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.

Presidenca i kërkon raport ambasadorit Berishaj për raportimin e medias sllovene