Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Qeveria kundër deklaratës së deputetes së LVV për të pagjeturit: Të gjithë trajtohen njëjtë

Qeveria e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se rastet e personave të pagjetur trajtohen të gjithë njësoj pavarësisht përkatësisë etnike.

Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është krejt ndryshe prej deklaratave të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu Hyseni.

Deputetja e Vetëvendosjes, Kryeziu Hyseni kishte deklaruar se ‘çështja e të pagjeturve të popullit shqiptar duhet të trajtohen me më prioritet se të pagjeturit serb’.

Mirëpo në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi thotë se institucionet e Kosovës i trajtojnë njëjtë gjitha rastet e personave të zhdukur.

“Të gjitha rastet e personave të zhdukur, të paraqitura nga kushdo qoftë trajtohen njëjtë nga institucionet e Republikës së Kosovës.  Nuk ka asnjë informatë apo dëshmi e cila nuk trajtohet me përgjegjësinë më të lartë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka thënë për KALLXO, zëdhënësja e Qeverisë Kurti.

Tutje, qëndrimi i Qeverisë është që prioritet është zbardhja e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të pagjetur.

“Siç ka deklaruar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, familjet e personave të zhdukur duhet të dinë fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe kjo duhet të bëhet me hapa të përshpejtuar. Andaj prioritet i Qeverisë është angazhimi maksimal në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së gjithë personave të zhdukur”, tha Kelmendi për KALLXO.com.

Ndërkaq, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e pyetur rreth kësaj çështje tha se nuk është në dijeni të kësaj deklarate por që tema e të pagjeturve është shumë e rëndësishme.

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e deputetes as të organizatave, por me duhet te them se çështja e gjithë te pagjeturve është tepër e rëndësishme. Dihet qe numri i te pagjeturve shqiptare është më i  madh për arsye se dihet kush ishte agresori dhe çfarë ka ndodhur në Kosovë”, tha ajo.

Ndaj deklaratës së deputetesh së LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka reaguar edhe Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën duke e quajtur denigrues deklaratat e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Kryeziu- Hyseni.

Deputetja Kryeziu Hyseni sërish e thotë se nuk mund të barazohen viktimat shqiptare me ato serbe