
Deputetja Kryeziu Hyseni sërish e thotë se nuk mund të barazohen viktimat shqiptare me ato serbe
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu- Hyseni ka thënë për KALLXO.com se qëndron mbrapa deklaratave se çështja e të pagjeturve shqiptarë nuk mund të barazohet me të pagjeturit serbë, pavarësisht se si tjerët mund t’a marrin deklaratën.
Kryeziu- Hyseni ka theksuar se nuk ka dashur të amnistojë askë, por që Kosova tash e 22 vjet nuk di për fatin e të pagjeturve të saj.
“Unë nuk kam dashtë me e amnistu askë vetëm se kam dashtë me e potencu që nuk është rast që duhet me u barazu, pavarësisht asaj që viktima janë ata viktima jemi ne, veç duhet me ditë që gjenocid është ushtru ndaj popullit shqiptar. Lufta është nis prej Serbisë edhe ne jemi populli që jemi sulmu prej kriminalëve serbë. Gjenocidi është kry mbi popullin shqiptarë dhe për mua nuk mundet me u barazu çështja e të pagjeturve shqiptarë me të pagjeturit serbë, sigurisht që duhet me u trajtu me prioritet nuk është që jam kundër asaj që mos me ju dhanë përgjigje por janë më shumë se 22 vjet që ne nuk e dina që ku janë mbi 1600 të pagjetur”, ka thënë ajo për KALLXO.com
Tutje, deputetja e LVV-së ka shtuar se Serbia ka njohuri mbi vendodhjen e varrezave masive dhe se për këtë nuk mund t’i barazoj.
“Serbia e di vend ndodhjen e atyre e varrezave masive dhe nuk japin përgjigje, ne nuk ende nuk e dimë, të paktën nuk ka përgjegjës për viktimat serbe. Unë vazhdoj me qëndru mbrapa asaj që e kam thënë që për mua nuk është çështje që mundet me u barazu pavarësisht se si tjerët munden me e marrë deklaratën. Ne kemi qenë viktimat e luftës së fundit në Kosovë”, thotë ajo për KALLXO.com
Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën e ka quajtur denigrues dhe ka kërkuar nga institucionet e vendit të dënojnë deklaratat e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbreshë Kryeziu- Hyseni, e cila gjatë një emisioni televiziv kishte thënë se “çështja e të pagjeturve shqiptarë është më prioritare sesa çështja e të pagjeturve serbë”.
“Çështja e të pagjeturve të popullit shqiptar duhet me u trajtu me seriozitet edhe me prioritet të lartë dhe pastaj kur t`i vie radha të flasim edhe për të pagjeturit serb. Mirëpo këtu nuk ka barazim të çështjes sepse kanë qenë serbët ata që kanë kryer krime ndaj popullit shqiptar, kemi qenë ne pjesë e gjenocidit që është ushtru ndaj neve” për më tepër, deputetja Kryeziu tha se “Kështu që nuk mundemi me krahasu dëmin ndaj popullit shqiptar, më këto kërkesa për ata pak persona të humbun nga lufta e fundit”, kishte thënë deputetja më 15 qershor në emisionin ‘Rubikon’ në Klankosova.
Koalicioni Joformal për Ballafaqimin me të Kaluarën reagon ndaj deklarateve të deputetes së LVV-së