Foto: ZKM

Qeveria ia dërgon dy emra Kuvendit për një pozitë në bordin e OShP-së

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës, kandidatët për pozitën e një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Emrat e propozuar për këtë pozitë janë Xhevdet Ahmetaj dhe Isa Hasani.

Kryeministri Albin Kurti tha se qeveria do të ketë vëmendje tek profesionalizimi dhe integriteti i tyre.

“Integriteti dhe profesionalizimi janë parakusht i suksesit të institucionit dhe përmbushjes së individit. Sot prezantoj para jush, Xhevdet Ahmetaj dhe Isa Hasani. Qeveria do të ketë vëmendje të profesionalizimi dhe integriteti, ne garantojmë mbrojtje për të diturit e të ndershmit, ndërsa do të dënojmë çdo devijim duke ruajtur integritetin e institucionit” – tha kryeministri Kurti.

Kandidati i përzgjedhur do të zëvendësojë Nita Bejtën, e cila kishte dhënë dorëheqje në tetor të vitit 2022.

Bordi i OSHP-së është emëruar nga Kuvendi i Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas më shumë se një viti pa të.

Javë më parë Qeveria ka kërkuar nga Kuvendi që ta shkarkojë anëtaren Kimete Gashi, pas vendimit që OSHP mori për tenderin për insulinat.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbetur i bllokuar që nga viti 2020. Kjo për shkak se Ministria e Shëndetësisë kërkon që të anulojë në tërësi këtë tender, ndërsa Organi Shqyrtues i Prokurimit konsideron se dy kompanitë ofertuese janë të përgjegjshme për tenderin dhe rrjedhimisht po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që të zbatojë procedurat ligjore për të anuluar tenderin.

Shënim: Në ora 14:16 është ndryshuar titulli i artikullit.

Anëtarja e OSHP: Nuk e di pse vetëm mua Qeveria më ka propozuar për shkarkim