Qeveria emëron Bordin e ri në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore

Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti ka votuar për emërimin e Bordit të ri të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Ky bord do t’i ketë shtatë anëtarë.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kërkoi nga anëtarët e kabinetit qeveritarë që të votojnë për shtatë emrat e ri të bordit.

“Emërimi i Bordit drejtues për Fondin e Sigurimit Shëndetësor me qëllim të kompletimit të plotë të këtij organi, Ministria e Shëndetësisë kërkon aprovimin e Qeverisë për zëvendësimin e bordit drejtues të Fondit për Sigurimeve Shëndetësore” – tha ai të mërkurën gjatë mbledhjes së ekzekutivit kosovar.

Secili anëtar në bord do të përfaqësojë një institucion. Ndërsa, në mesin e tyre është edhe vetë ministri Vitia.

“Arben Vitia, nga Ministria e Shëndetësisë, Hekuran Nikçi nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Besnik Fetahu, po ashtu nga e njëjta ministri, Kastriot Meqa, si përfaqësues i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Ardian Shefkiu, si përfaqësues i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Izet Sadiku nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Afrim Maliqi, si përfaqësues i Shoqatave të Pacientëve” – tha Arben Vitia.

Emërimi u bë me të gjitha votat pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.