Qeveria e Kosovës miraton Projektligjin për Filharmoninë, Operën dhe Baletin

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Filharmoninë e Kosovës, Operën e Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se vendimi i qeverisë për projektligjin për Filharmoninë, Operën dhe Baleti, është marrë pas propozimit të ministres së MKRS-së, Vlora Dumoshi.

Sipas komunikatës së MKRS, ministrja Dumoshi ka ftuar kabinetin qeveritar që të votojë këtë projektligj, pasi siç thuhet në komunikatën e MKRS, ministrja ka potencuar fakti se me këtë projektligj rregullohet funksionimi dhe veprimtaria e tri prej institucioneve më me peshë në kulturën e Kosovës.

“Po ashtu ligji krijon bazën e themelimit të institucionit, Opera e Kosovës, e cila me shpresë në një të ardhme jo të largët do t’i bashkohet listës së institucioneve kulturore. Projektligji ka hyrë në plotësim ndryshim për shkak të preambulës me logon e UNMIK-ut, por edhe për të evituar pengesat që kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punëve të institucioneve, dhe gjatë hartimit është konsideruar se duhet të jetë ligj i ri”, ka thënë para kabinetit qeveritar ministra Dumoshi, citon komunikata.

Ky projektligj, sipas komunikatës së MKRS-së, i ka kaluar të gjitha fazat e nevojshme të shqyrtimit, konsultimit me institucionet relevante dhe diskutimet publike me grupet e interesit, duke marrë aprovimin e të gjitha instancave relevante, pavarësisht situatës me pandeminë Covid 19.