Agjencia për Informim fillon javën e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Informimit, Foto: KALLXO.com

Qasja në dokumente publike, Agjencia për Informim dhe Privatësi: Këtë vit më së shumti ankesa u bënë ndaj Komunës së Prishtinës

Agjencia për Informim dhe Privatesi, në cilësinë e autoritetit të apelimit, në kuadër të Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, ka vazhduar shqyrtimin e ankesave të pranuara nga qytetarët gjatë vitit 2022.

Lidhur me këto ankesa, sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit, Agjencia ka mbajtur një konferencë me kryetarë të komunave.

Komisioneria e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dërmaku tregoi që ky është viti i dytë që po organizohen nga AIP aktivitete të tilla.

Ajo tha se moto e këtij viti është “Tash edhe më lehtë”.

Sogonjeva-Dërmaku tregoi se kjo konferencë shënon javën e aktiviteteve për Ditën Ndërkombëtare për Lirinë e Informimit.

“Shpresoj që nga kjo konferencë të dalim me rekomandime të qarta që të na ndihmojnë në punën tonë” – tha ajo.

Tutje Sogonjeva-Dërmaku i ka treguar detyrat që i ka AIP e po ashtu cilat janë obligimet e komunave dhe institucioneve për transparencë.

I lumtur që është pjesë e kësaj konference është shprehur zëvendës shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Jam i lumutur që shoh prezencen tuaj këtu sot, kjo tregon përkushtimin tuaj në këtë fushë” – ka thënë Wahl.

Në anën tjetër, drejtori i AKK-së tha se Kosova qëndron më së miri në rajon në aspektin e transparencës së komunave.

“AKK është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, në bazë të takimeve që kemi Kosova del që të rradhitet lartë në aspektin e transparencës” – tha Ibrahimi.

Ai tregoi se të gjitha komunat i kanë faqet e tyre zyrtare funksionale dhe se kryetarët e bëjnë të pamundurën që të jenë sa më transparentë.

“Transparenca e llogaridhënja nuk ka kufi, por besoj që komunat tona janë duke iu afruar standareve evropiane” – tha Ibrahimi.

Mirëpo, me këtë deklaratë nuk u pajtua drejtoresha e BIRN-it, Jeta Xharra.

Sipas Xharrës, ka progres në krahasim me vitet e kaluara në drejtim të transparencës, por kjo nuk e bënë Kosovën afër standardeve evropiane.

“Jemi në fazë që jemi duke u mësu. Zyrtarët kryesisht janë në dilema se çka duhet me na dhanë. Në Kosovë nuk e dinë secili zyrtarë se cilat dokumente janë publike, cilat jo” – tha Xharra.

Sipas saj, standard evropian do të ishte nëse vendimet menjëherë të dilnin online.

“Pse jemi më të mirët me rajon nuk na bënë më të mirët, po e shoh njëfarë tendence me Serbinë, Shqipërinë pasi donacionet janë më të mëdha tek ne” – shtoi tutje ajo.

Xharra ndau edhe eksperincën e ekipit të BIRN në Kosovë. Ajo si problem i paraqiti komunat me shumicë serbe në vend.

“Ekipi jonë nuk merr përgjigje nga komunat serbe, pse nuk dihet kush është zëdhënës, pse nuk është publike kjo” – tha ajo.

Në një raport specifik të AIP-së është thënë se Agjencia ka pranuar ankesa ndaj pothuajse të gjitha institucioneve publike, mirëpo sot do të kushtohet vëmendjene gjendjes faktike të transparencës në nivel lokal.

Sipas raportit, komuna, ndaj të cilës Agjencia ka pranuar numrin më të madh të ankesave është ajo e Prishtinës me 17 ankesa të adresuara në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Statistikat e AIP-së tregojnë se kërkesat për qasje në dokumente publike ndaj kësaj komune kanë qenë të adresuara nga individët dhe organizatat joqeveritare.

Komuna pasuese me numrin më të madh të ankesave të adresuara në AIP është ajo e Kaçanikut.

Ndaj kësaj komune, AIP po ashtu ia ka shqiptuar një gjobë për moszbatimin e vendimit të Agjencisë.

Sipas AIP-së, kategoria e dokumenteve të kërkuara nga palët që e karakterizon nivelin komunal, në përgjithësi,lidhet me dokumentet e prodhuara gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit.

Ndërsa, kategoria më e shpeshtë e palëve, të cilat janë ankuar për kufizim apo refuzim të kërkesave të tyre fillestare për qasje në dokumente publike, janë organizatat joqeveritare.

Tutje është thënë se dokumentet që e pasojnë prokurimin në nivel komunal lidhen me procedurat e rekrutimit, ndaj të cilave, palë ankuese thuhet se në të shumtën e rasteve, janë qytetarët që kanë qenë kandidatë të këtyre procedurave të rekrutimit.

Sipas AIP, në përgjithësi, procesi i shqyrtimit të ankesave në raport me komunat, përfundon përmes një raporti përmbyllës.

Kjo pasi, sipas agjencisë institucioni publik ofron qasjen, zakonisht, menjëherë pas pranimit të shkresës njoftuese.

AIP ka treguar se komuna ndaj të cilës, më së shumti janë nxjerrë vendime të
karakterit detyrues, është ajo e Kaçanikut, me 6 vendime, e cila pasohet nga ajo e Prishtinës, me 4 vendime.

Panelistë në këtë konferencë kanë qenë Zëvëndësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, Drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese, Jeta Xharra, gazetare në Top Channel, Leonita Bajrami dhe Komisioneria e AIP-së, Krenare Sogojeva-Dërmaku.