Punimet në lumin Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com
Punimet pa pëlqim ujor në Ibër, deklarohet Prokuroria e Mitrovicës
Prokuroria e Mitrovicës po trajton rastin e punimeve për ndërtimin e një ure, pa leje mjedisore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Për shkak të mos respektimit të kritereve për këto punime, ditë më parë Inspektorati mjedisor urdhëroi ndaljen e punimeve, ndërsa rasti ishte denoncuar edhe në Polici dhe Prokurori.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar denoncimin në lidhje me këtë rast.
“Ju konfirmojmë se me datë 4 gusht është pranuar një denoncim për këtë rast. Lënda i është ndarë për trajtim një prokurori”- ka thënë ai.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), kishte gjetur se për punimet e zhvilluara për ndërtimin e urës për këmbësorë, në rrjedhën e lumit Ibër në Mitrovicë, nuk është marrë parasysh asnjë kriter i paraparë për mbrojtjen e ujërave.
Ndërkaq, tash komuna thotë se kanë nisur procedurat për të marrë pëlqim ujor.
Granit Tmava, Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka kondirmuar për KALLXO.com, se kanë zbatuar vendimin për ndaljen e punimeve.
“Me datën 24.07.2023 Inspekcioni nga MMPHI ka lëshuar vendim për ndërprerjen e punimeve në lidhje me ndërtimin e urës mbi shtratin e lumit Ibër derisa të pajisemi me pëlqim ujor. Ne si DSHPI kemi marr masa të menjëhershme për zbatimin e aktvendimit të inspektoriatit për ndërprerjen e punimeve dhe kemi vazhduar me rekomandimet e dhëna për t’u pajisur me pëlqimin ujor për vazhdimin e ndërtimit të urës” – tha ai.
Qytetarët kanë shprehur shqetësime për mungesën e ujit në lumin Ibër, ndërsa institucionet në Mitrovicë kanë pasur qëndrime kundërthënëse.
Më 23 korrik, Komuna e Mitrovicës kishte njoftuar se arsyeja e mungesës së ujit në lumë është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit.
Në anën tjetër, Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka pati thënë se arsyeja kryesore e mungesës së ujit në Lumin Ibër janë punimet tek ndërtimi i urës në Liqenin Akumulues dhe hapja e portave të liqenit.