Punëtori ra nga 8 metra lartësi, pronari dënohet me 12 mijë euro gjobë

Gjykata e Apelit i ka shqiptuar 12 mijë euro gjobë Kadrush Rexhepit, pronar i kompanisë “Euro Abi”, në Gjakovë.

Shtatë vite më parë, Mentor Ramadani kishte pësuar lëndime të rënda pasi ishte rrëzuar në vendin e punës.

Nga ajo kohë, Mentor Ramadani ka probleme në të ecur. Ai ka pasur ndërhyrje të shumta kirurgjike.

Lidhur me këtë rast, Gjykata e Gjakovës në prill të vitit 2022 e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin Kadrush Rexhepin.

Rexhepi u gjet fajtor për veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Por dënimi me burgim me propozimin e mbrojtësit iu zëvendësua me 7 mijë euro gjobë.

Ndaj këtij vendimi ankesë në shkallë të dytë kanë paraqitur palët.

Apeli ka gjetur se ankesa e Prokurorisë është e bazuar sa i përket dënimit.

“Ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës së Gjakovës sa i përket dënimit, ashtu që të akuzuarit Kadrush Rexhepi për shkak të veprave  penale – asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës me të cilën është shpallur fajtor, i shqipton dënim me gjobë në shumën 12 mijë euro” – thuhet në vendim.

Në nëntor të vitit 2016, një punëtor kishte rënë nga një lartësi prej 8 metrash në objektin ku punonte.

Sipas aktakuzës, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i ka siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.

Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinëpunues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur duke rënë në beton.

Sipas aktakuzës, Ramadani kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Në vitin 2019, në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi mes prokurorit dhe Ruzhdi Ramadanit, familjarit të viktimës Mentor Ramadani.

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimin se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Takimi mes prokurorit dhe vëllait të viktimës është zhvilluar në kohën kur aktakuza ishte në Gjykatë ndërsa biseda mes tyre vazhdon kur prokurori i thotë vëllait të viktimës se çfarë ke interes ti nëse pronari dënohet, pasi që një pronar i lig nuk do të mund ta paguajë dëmin.

Përpos publikimit të këtij video-incizimi, KALLXO.com me shkresë të veçantë e kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për sjelljen e prokurorit Ramiz Buzhala.

Disa muaj pas këtij raportimi ndaj prokurorit Buzhala ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Ky hulumtim është transmetuar edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”. Afera e filmuar nga KALLXO.com, ndëshkohet prokurori Ramiz Buzhala