Ilustrim, Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Punëtori ra nga 8 metra lartësi, pronari i akuzuar dënohet me 6 muaj burgim

Gjykata e Gjakovës sot e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim të akuzuarin Rexhep Kadrushi.

Kadrushi, si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë akuzohej se nuk i ka siguruar mjetet e punës me ç’rast i dëmtuari Mentor Ramadani ka rënë nga lartësia e objektit mbi 8 metra dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Burhan Qosja, avokati i të dëmtuarit Mentor Ramadani, i cili ka reaguar duke thënë se me propozimin e palës ky dënim mund të shndërrohet në gjobë.

“Nga gjykata sot i është shqiptuar 6 muaj burgim, mirëpo, avokati i të akuzuarit ka propozuar që ky dënim të shndërrohet në gjobë, dhe jam i bindur se kështu do të jetë”, ka deklaruar Qosja.

Tutje ai arsyetoi se si pasojë e kualifikimit të veprës penale mund të shpie deri te ndryshimi i vendimit në gjobë.

“Gjykata pa asnjë lloj prove e ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale në mënyrë që ta shqiptojë dënimin deri në 6 muaj burgim e pas kësaj këtë masë me propozimin e palëve ta shndërrojë në gjobë”, është shprehur avokati.

Qosja ka shprehur pakënaqësi sa i përket shqiptimit të dënimit ku ka sqaruar se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në anën tjetër, Teki Bokshi, mbrojtësi i të akuzuarit, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm që të deklarohet.

Sipas Prokurorisë, Rexhep Kadrushi më 10 nëntor 2016, në vendpunishten e kompanisë “Jatex” në Gjakovë, si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës, akuzohet se shkeli ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë pasi nuk i siguroi pajisjet mbrojtëse në vendin e punës dhe rrezikoi jetën e njerëzve.

Tutje, aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, llamarinë-punues në firmën “ABI”, pronë e të akuzuarit duke bartur një panel – lastër, në një largësi prej 20 metrave, me peshë rreth 200 kg dhe gjatësi mbi 8 metra, pa pajisje mbrojtëse dhe duke ecur në një hekur me gjerësi 50 centimetra, humbi drejtpeshimin dhe rrëshqit duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash në beton. Nga kjo rënie ai ka pësuar lëndime të rënda trupore të përshkruara në ekspertizën mjeko-ligjore.

Me këtë, i akuzuari akuzohet se ka kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Në vitin 2019, në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ishte transmetuar filmimi gjatë një takimi në mes të prokurorit dhe Ruzhdi Ramadanit, familjarit të viktimës Mentor Ramadani

Gjatë bisedës është zbuluar se prokurori i ka sugjeruar familjes që mos ta ndjekin penalisht pronarin e biznesit me arsyetimin se nuk është në të mirë të tyre që pronari të jetë i dënuar.

Takimi në mes prokurorit dhe vëllait të viktimës është zhvilluar në kohën kur aktakuza ishte në Gjykatë ndërsa biseda në mes tyre vazhdon kur prokurori i thotë vëllait të viktimës se çfarë ke interes ti nëse pronari dënohet, pasi që një pronar i lig nuk do të mund ta paguajë dëmin.

Përpos publikimit të këtij video-incizimi, KALLXO.com me shkresë të veçantë e kishte informuar edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës për sjelljen e prokurorit Buzhala.

Disa muaj pas këtij raportimi ndaj prokurorit Buzhala ishte shqiptuar një masë disiplinore për rastin në fjalë.

Afera e filmuar nga KALLXO.com, ndëshkohet prokurori Ramiz Buzhala