Protestojnë punëtorët teknikë të UP-së, kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë protestuar sot para Rektoratit duke kërkuar ngritje të pagave.

Bashkë me ta, i pranishëm ishte edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit të Privat, Jusuf Azemi.

Pas protestës, Azemi ka mbajtur një takim me Sekretarin e Rektoratit të Universitetit.

Azemi tha se gjatë takimit i është thënë se rritja e pagave të këtyre punëtorëve varet vetëm nga mjetet që lëshon Ministria e Financave.

“Nëse shton buxhet Ministria e Financave sigurisht se këto paga do të rriten, por shpresoj se do të ketë një ndarje të mirë nga Rektorati i Universitetit për pagat e këtyre punëtorëve” – tha Jusuf Azemi.

Tutje ai deklaroi se vetë punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik të universitetit, nga janari i viti të ardhshëm do ta lëshojnë punën, në rast të mosrealizimit të kërkesës.

“Minimumi nën pagën 405 euro, sigurisht se në gjysmën e janarit 50% e punëtorëve më nuk do të jenë në punë” – shtoi Azemi.

Pas takimit të kryetarit të Sindikatës brenda Rektoratit, protesta përfundoi e qetë.