Protesta para Bashkisë së Tiranës/ Foto: VOA

Protestat para Bashkisë së Tiranës, policia arrestoi një person e nisi procedura penale për disa të tjerë

Një person është arrestuar për prishje të qetësisë publike, goditje për shkak të detyrës, shkatërrim të pronës, shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse si dhe për kundërshtim të punonjësit të policisë.

Arrestimi i 39 vjeçarit u bë pas protestave që u realizuan më 14.06.2024 në Tiranë.

Policia e Shtetit ka njoftuar se, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë 39 vjeçarin banues në Tiranë, për disa vepra penale.

Në anën tjetër të njëjtit kanë njoftuar se janë duke trajtuar rastet penale në liri edhe të disa personave të tjerë.

“Gjithashtu, procedoi në gjendje të lirë shtetasit E. P., 24 vjeç, D. P., 62 vjeç, R. D., 20 vjeç, I. T., 49 vjeç, K. K., 43 vjeç, dhe P. O., 66 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës”, dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.