Kritikohet ministri Liburn Aliu që nuk mori pjesë në Samitin për Lumenjtë e Kosovës

Aktivisti austriak nga ‘Riverwatch’, Ulrich Eichelmann, ka kritikuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliun, që nuk mori pjesë në Samitin për Lumenjtë e Kosovës, që po mbahet sot në Prishtinë.

Eichelmann nga ‘Riverwatch’, organizatë që merret me mbrojtjen e lumenjve në Evropë, tha se është i zhgënjyer për mospjesëmarrjen e qeveritarëve.

“Unë ndoshta isha shumë naiv për pjesëmarrjen e Qeverisë apo të ministrisë përkatëse në këtë konferencë. Ata kanë vendosur për mos pjesëmarrje shumë pak para se të fillojë. Unë jam shumë i zhgënjyer, jo vetëm se ata është dashur të jenë këtu, por gjithashtu sepse është një proces demokratik, është detyrë e tyre që të përballen dhe demokracia do të thotë diskutim, edhe nëse ministri nuk ndihet mirë që të jetë këtu, kjo është puna e tij” – tha ndër të tjera Eichelmann.

“Mendoj se kjo Qeveria e ka mundësinë që të bëjë diçka ndryshe se Qeveritë e tjera më përpara”.

Nën organizimin e KOSID (Konsorciumi kosovar i shoqërisë civile për zhvillim të qëndrueshëm) dhe Riverwatch, në Prishtinë po mbahet Samiti i Parë për Lumenjtë e Kosovës, me temën “Lumenjtë dhe mbrojtjen e tyre”.