Presidenti francez, Emmanuel Macron.

Franca shkel premtimin ndaj Ballkanit në kërkim të dominimit brenda BE-së 

Kur në vitin 2016 regjimi i Gruevskit u detyrua që të dorëhiqej me forcë si rezultat i presionit popullor dhe ndërkombëtar në Maqedoni (tash Maqedoninë Veriore), ky akt shihej si një frymëzim edhe për qytetarët e pakënaqur në vendet tjera në Ballkan, shkruan gazeta EU Obserever.

Qeveri të cilësuara si autoritare, të tilla si ajo e Aleksandar Vuqiçit në Serbi, u vunë në siklet dhe u siguruan të mos lejojnë që e njëjta gjë t’i ndodhë edhe Serbisë.  

Marrëveshja historike që u arrit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë Veriore për ndryshimin e emrit të kësaj të fundit i dha fund një mosmarrëveshjeje që kishte bllokuar rrugën e Maqedonisë Veriore drejt BE dhe NATO-s për gati një çerek shekulli, shton tutje kjo gazetë.

Përgjigjia e BE-së pas arritjes së kësaj marrëveshjeje  ishte premtimi i saj se do të hapë bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore.

Mirëpo në samitin e javës së kaluar të BE në Bruksel, premtimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë dhe Shqipërsisë në BE, u thye. 

Bllokimi për fillimin e bisedimeve për pranimin e Maqedonisë Veriore në BE bëri që  liderët politikë të Maqedonisë së Veriut të bien dakord që të zhvillojnë zgjedhje të parakohshme në muajin prill.

 “Ne kemi arritur një konsensus që zgjedhjet të mbahen më 12 Prill 2020,” ka deklaruar Kryeministri Zoran Zaev pas takimit të liderëve kryesorë politikë me Presidentin maqedonas, Stevo Pendarovskin.

EU Observer thekson se pas gjithë asaj që ka bërë Maqedonia Veriore sa i përket integrimeve evropiane – ka bërë një numër të madh reformash, ka arritur një marrëveshje me Greqinë dhe Bullgarinë, e ka ndryshuar Kushtetutën e saj, në fund ka hasë në një bllokadë të quajtur Emanuel Macron. 

Macron po del të jetë motori i vendimeve që kanë rezultuar me faktin që BE po i thyen premtimet e tij që ia kishte bërë Shkupit – se do t’ia jipte datën kur edhe zyrtarisht do të fillonte procesin e anëtarësimit në BE, pasi që Maqedonia Veriore t’i përmbushte kërkesat të cilat i ishin parashtruar më parë nga vetë BE-ja. 

Ky vendim tashmë është shtyrë dy herë për shkak të mospajtimit të Francës e cila, tanimë ka shkuar edhe më larg dhe po e mban peng pothuajse krejt procesin e zgjerimit të BE-së, duke parashtruar kërkesa për një rishkim të mënyrës së zgjerimit para se të fillohet me bisedimet për anëtarësim me dy kandidatët aktualë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.  

Nëse këto kërkesa nga Franca arriijnë të merren në konsideratë, për ato vende të cilat akoma nuk janë në proces të fillimit të bisedimeve, kjo do të nënkuptonte fundin e këtij procesi. Madje edhe kriteret për ato vende të cilat veç janë pjesë e këtij procesi – Serbia dhe Mali i Zi – do të jetë më i komplikuar dhe më i paqartë.

Duket se Macron e ka “mbytur” politikën e cila deri kohë më parë konsiderohej si funksioni kryesor i BE-së dhe i cili ka qenë strategjia e vetme e BE-së në raport me shtetet ballkanike. 

Macron tashmë shumë herë e ka shfaqur mospajtimin e tij edhe me Gjermaninë në lidhje me një numër çështjesh politike në BE. 

Samiti i përfunduar së fundmi ka rezultuar në kundërshtim me pritjet e shumta. Macron ka qenë i palëkundur në qëndrimin e tij edhe gjatë takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel për t’i dhënë dritën e gjelbër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ka qenë fuqishëm kundër pothuajse të gjitha vendeve anëtare duke insistuar në atë se vendimi do të duhej të shtyhej deri sa krejt procesi të mos rishikohet si dhe të bëhën reforma të brendshme në BE.  

Sipas Francës, Maqedonia Veriore dhe, në veçanti, Shqipëria, nuk kanë bërë progres të mjaftueshëm për t’i filluar bisedimet për anëtarësim. 

Mirëpo, Macron asnjëherë nuk ka deklaruar se cilat ishin kriteret e kërkuara nga Franca që do të duhej të përmbusheshin nga këto dy vende kandidate, e as që ka dhënë propozime konkrete në lidhje me atë se çka nënkupton reformimi i procesit të eurointegrimeve. Krejt kjo tregon se për Macronin në fakt është më shumë e rëndësishme që të shtyjë përpara qëllimet e saja dhe që të jetë Franca ajo që të marrë rolin udhëheqës në BE pas BREXIT-it

“Kur Macroni vendosi që të përdorë veton e tij, ai nuk e mori në konsideratë stabilitetin politik të Ballkanit Përendimor, rëndësinë e ndikimit të jashtëm, e as popullin e Maqedonisë Veriore. Ai vetëm e luajti lojën e tij me Gjermaninë”,  ka deklaruar eurodeputeti grek Stelios Kuloglu për “EUROKATIV.com

Argumenti i Macronit bazohet në faktin se në BE gjithnjë e më shumë ka demokraci joliberale, të tilla si Hungaria dhe se të gjitha këto i janë bashkuar BE-së në vitin 2004 apo më vonë. Mirëpo argumenti se për këtë BE do të duhej që ta bllokonte procesin e zgjerimit është shkurtpamës. Në fakt, lufta për vlera dhe standarde në vendet e zgjerimit është lufta për të njëjtat vlera dhe standarde brenda BE-së. 

Të zhgënjyer me vendimin e BE-së, të bërë për shkak të insistimit francez, Shkupi dhe Tirana, por edhe vendet tjera të Ballkanit Përendimor, do të mund të bijnë edhe më shumë nën ndikimin e Moskës dhe Pekingut si dy nga lojtarët më të mëdhenj botërorë, por edhe edhe nën ndikimin e Ankarasë zyrtare. 

“Ekziston një problem me kredibilitetin e BE-së në Ballkanin Përendimor për shkak se bisedimet më anëtarësim janë premtuar  në nivelin politik, ndërkohë që ekziston edhe mundësia që këto vende mund të bien në prehërin e Rusisë, Kinës dhe Turqisë, nëse BE nuk tregohet serioze në lidhje me zgjerimin, thotë për EURACTIV.com, Roland Freudenstein, nga Qendra për Politika Evropiane.  

Ndërsa Nathalie Loiseau nga grupi i eurodeputetëve ‘Renew Europe’ deklaron se mijëra shqiptarë vijnë në Francë dhe të kërkojnë azil:”Si mund ti hapim negociatat me Shqipërinë?”, ka pyetur ajo. 

Sipas saj, shqiptarët shkojnë në Francë pa viza dhe më pas kërkojnë të përfitojnë nga statusi i refugjatëve, gjë që shpesh u mohohet atyre.

“Ose mijëra shqiptarë meritojnë statusin e refugjatit, i cili në vetvete vë në dyshim nëse Shqipëria mund të jetë një kandidate e BE, ose trafikantët me qenie njerëzore dhe mafia po veprojnë nga Shqipëria në Evropën Perëndimore duke inkurajuar migrimin e paligjshëm. Prandaj lufta kundër krimit të organizuar duhet të përmirësohet në Shqipëri,” tha politikanja franceze për EURAKTIV.com

Në një konferencë për media menjëherë pas takimit më liderë evropianë në Bruksel, Macron ka paralajmëruar se planifikon që ta vizitojë Shkupin dhe Tiranën në muajin nëntor për t’u takuar me kryeministrat e këtyre dy vendeve, Zoran Zaevin dhe Edi Ramën.

Po ashtu kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se shumë shpejt do të zhvillojë takime të rëndësishme, përfshirë edhe takimin me presidentin francez, Emanuel Macron.

Ndërsa, kërkesës për zgjedhje të parakohshme për shkak të mosnisjes së bisedimeve për anëtarësim, kryeministri shqiptar Edi Rama i ka dhënë përgjigje  negative duke e përjashtuar çdo skenar për zgjedhje të reja.

“Jo vetëm që nuk do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, por do të vazhdojmë të punojmë si më parë. Më 19 tetor dielli do të lind përsëri. Shqipëria nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme sepse vendi bëri gjithçka që ishte e mundur për këtë proces. Nëse zgjedhjet e parakohshme mund të zgjidhnin problemin midis Francës dhe Gjermanisë, unë do t’i konsideroja seriozisht ato”, ka deklaruar kryeministri Rama.

Udhëtimi potencial i presidentit Macron në Tiranë dhe Shkup do të kishte si qëllim të tregojë se Franca, megjithatë, i mbështetë këto dy shtete në rrugën e tyre drejt BE-së përkundër faktit se pikërisht Franca ua mbylli dyert duke i bllokuar në samitin e para pak ditëve. 

Përgatiti: Nuhi Shala