Pronari i tokës përfundon në polici për pitosin që nuk e mori shteti për 7 muaj

Ndonëse ishte gjetur që nga tetori i vitit të kaluar, pitosin 1700 vjeçar në fshatin Bllatë të Kamenicës nuk e kishte larguar askush nga vendi ku ishte gjetur, kjo për shkak të mungesës së mjeteve financiare prej 500 eurove.

E të dielën, pronari i tokës, pitosin e vjetër kishte tentuar t’ia dhuronte një miku nga Presheva.

Mirëpo dërgimin e këtij pitosi për në Preshevë e kishte penguar policia në Kamenicë.

Florim Klaiqi, komandat i stacionit policor në Kamenicë ka thënë për KALLXO.com se ndaj pronarit të arës është ngritur kallëzim penal.

“Të dielën ne si polici e kemi bërë sigurimin e lokacionit për 24 orë dhe e kemi thirr drejtorin dhe institutin të cilët e kanë bërë tërheqjen e pitosit. 3 personat që kanë qenë aty janë thirrur në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa ndaj pronarit është ngritur kallëzim penal”, tha ai.

Sipas Klaiqit, rasti në fjalë nuk është duke u trajtuar si vjedhje.

“Ky rast nuk ka shkuar si vjedhje, por si rast për punime të paautoirizuara dhe përvetësim i monumenteve kulturore. Pronari i tokës ka kontaktuar me një mik nga Presheva dhe i ka thënë që mund t’ia dhuroj pitosin me qëllimin që ta largoj nga ara”, shtoi ai.

Arianit Ibrahimi drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Kamenicës ka thënë se për largimin e pitosit përgjegjës ka qenë Instituti Arkeologjik i Kosovës, por që për shkak të mungesës së mjeteve financiare, që nga ajo kohë nuk është larguar nga ara.

“Që nga ajo kohë, qypi ka mbetur në ara, për shkak që nuk kemi pasur mundësi teknike dhe ligjore për të vepruar si Komunë. Rreth 500 euro ka qenë vlera që Instituti ka thënë që duhet për largimin e qypit”, tha ai.

Ibrahimi tutje tha që momentalisht pitosi (qypi) antik është duke qëndruar në Shtëpinë e Kulturës në Kamenicë.

“Ne prapë i kemi thirr Institutin, kanë ardhur në vend të ngjarjes dhe kanë njoftuar që nuk kanë mundësi. Ne si Komunë së bashku me një kompani e kemi siguruar transportin dhe e kemi vendosur në Shtëpi të Kulturës, jemi duke pritur institutin me ardh me rregullu”, shtoi ai.

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës në një prononcim për KALLXO.com ka konfirmuar se pitosi në fjalë nuk është larguar për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

“Ne kemi dhënë autorizim që të vendoset atje për shkak të vendit, sepse është artefakt më i madh, për me ruajt për një kohë të pacaktuar deri sa ne të bëjmë kushte. Ne jemi në bashkëveprim për me bo studimin, vlerësimin, dokumentimin edhe më pas një konservim dhe restaurim”, tha ai.

Tutje Rexha dha tha se për një kohë të pacaktuar Instituti ka vendosur që pitosi të qëndroj në Kamenicë.

“Për momentin duhet të qëndroj në shtëpi të kulturës, për shkak që muzeu është përplot dhe kemi ku me lënë, nëse e lëmë jashtë mund ta dëmtoj edhe koha. Për një kohë të pacaktuar duhet të qëndroj në Kamenicë”, tha ai.