Komuna e Vushtrrisë - Foto: Facebook

Anulohet konkursi për zyrtar të infrastrukturës sportive në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka marrë vendim për anulimin e konkursit të shpallur për pozitën zyrtarë i lartë për infrastrukturë sportive nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport.

Sipas njoftimit të Komunës, anulimi i konkursit ka ardhur duke u bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

‘Shfuqizohet vendimi i datës 02.07.2018, i Komisionit për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Komunës së Vushtrrisë dhe anulohet procedura e rekrutimit për konkursin e shpallur, më 30.04.2018 për vendin e punës ‘Zyrtarë i Lartë për Infrastrukturë Sportive’, si dhe të gjitha vendimet që rrjedhin nga kjo procedurë e rekrutimit’’, thuhet në vendimin e kryetarit të Komunës.

Konkursi  ishte shpallur më 30 prill, ndërsa me datën 5 qershor Komuna kishte njoftuar se  kandidati më i suksesshëm sipas Komisionit Përzgjedhës të Shërbimit Civil është zgjedhur Arben Karaça.

Kandidati i përzgjedhur është djali i Veli Karaçës, i cili ka udhëhequr njërën nga drejtoritë e Komunës së Vushtrrisë para disa mandateve kur LDK ishte në pushtet.

Karaça po ashtu ka qenë njëri nga anëtarët dhe udhëheqësit e LDK-së në Vushtrri.