Prokuroria Speciale tërhiqet nga ndjekja penale ndaj një të akuzuari në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq

Prokuroria Speciale është tërhequr nga ndjekja penale për të akuzuarin Rade Basara në mungesë të provave në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ndërsa për pesë të akuzuarit e tjerë ka kërkuar dënim nga Gjykata e Prishtinës.

Rade Basara akuzohej se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.

Ai ngarkohej për veprat penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë e ka bërë prokurori special Burim Çerkini në fjalën e tij përfundimtare para Gjykatës së Prishtinës.

“Dmth të gjitha dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët, e posaçërisht nga provat materiale, që janë nxjerrë me vendim apo me urdhëresë të gjykatës nuk është provuar se në veprimet e të akuzuarit Rade Basara ekzistojnë elementet e veprës penale “pjesëmarrja në grup te organizuar”, që lidhet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare, kështu që si PSRK, duke u bazuar në këto prova, në mungesë te provave për të akuzuarin tërhiqemi nga ndjekja penale” – tha prokurori Çerkini në seancën e datës 21.06.2024.

“Me rastin e shqyrtimit të të gjitha provave nuk është arritur që të vërtetohet, kjo për faktin se gjatë shqyrimit gjyqësor është vërtetuar se gjatë kohës kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit, i njejti fare nuk ka qenë prezent në Mitrovicë po ashtu nga 06.01.2018 dhe deri më 21.01.2018 ka qene në shtetin e Kroacisë ku për këtë fakt është vërtetuar nga dëshmitë e marra nga shteti i Kroacisë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare e gjithashtu edhe raportet e punës të siguruara nga Policia e Kosovës për këtë arsye në mungesë të provave Prokuroria Speciale ndaj të njejtit (Rade Basara) është tërhequr nga ndjekja penale”.

Ky gjykim po vazhdon në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës ku është faza e dhënies së fjalëve përfundimtare nga palët.

Gjykimi i rastit po bëhet nga trupi gjykues i përbërë nga Valon Kurtaj – kryetar, anëtarët Musa Konxheli dhe Valbonë Musliu-Selimaj.

Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.

Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.

Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit  pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.

E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.

Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK