Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria po i trajton deklaratat për ‘ndërtimet pa leje’ te Liqeni i Batllavës, reagon Bulliqi

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pasi Prokuroria e Prishtinës ka filluar shqyrtimin e pretendimeve të ish-drejtorit të inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, i cili ka deklaruar se i pari i Podujevës, ka tentuar ta pengojë në kryerjen e punës së tij.

Bulliqi ka thënë se i gëzohet këtij lajmi dhe se mirëpret çdo hetim me qëllim që të zbardhet e vërteta.

“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Bulliqi ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e rastit.

“Shpreh gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë”, ka thënë Bulliqi.

Prokuroria e Prishtinës ka filluar shqyrtimin e pretendimeve të ish-drejtorit të inspekcionit në Komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, i cili ka deklaruar se kryetari Shpejtim Bulliqi ka tentuar të e pengojë në kryerjen e punës së tij.

Për pretendimet e ish-drejtorit Mulliqi, prokuroria e Prishtinës ka filluar të merret me rastin.

“Lidhur me pyetjet tuaja ju njoftojmë se, Prokuroria është duke i shqyrtuar te gjitha pretendimet e dhëna ne opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do te veproje konform dispozitave ligjore në fuqi” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar për shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit në Podujevë.

Komuna e Podujevës ka reaguar në lidhje me shkarkimin e drejtorit të Inspekcionit, Besnik Mulliqi, nga kjo pozitë.

Në një komunikatë për media, Komuna ka deklaruar se njëra ndër arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës që, siç është thënë në njoftim, “duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën e Liqenit të Batllavës”.