Prokuroria: I dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj, recidivist i veprave penale

Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e 30 vjeçarit G. H. mesnatën e mbrëmshme.

Prokuroria në arsyetimin e saj drejtuar gjykatës përshkruan rreziqet në dëmtimin e hetimeve në rast se i dyshuari në këtë fazë lihet në liri.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com i dyshuari përshkruhet si person me të kaluar kriminale dhe i njëjti vlerësohet si recidivist i përgjithshëm i veprave penale.

“Karakteristikat personale të të pandehurit, i cili është recidivist i përgjithshëm i kryerjes së veprave penale”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e mbrëmshme në Ferizaj, Q. J.

“Prokurori i Shtetit, konsideron se në rastin konkret përmbushet edhe baza ligjore e përcaktuar në pikën 2.5.3 të nenit 165 të KPK-së, për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartshënuar, ngase pesha e kësaj vepre penale të kryer nga ana e të njëjtit është e karakterit shumë të rëndë, e për të cilën me Kodin Penal të Republikës së Kosovës parashihet dënim me burgim me jo më pak se 5 vite”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës së Ferizajt.

Në të njëjtën kërkesë të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se i dyshuari vrasjen e ka kryer në një nga rrugët më të frekuentuara të Ferizajt dhe se me veprimin e tij na krijuar ndjenjën e pasigurisë tek qytetarët.

“Mënyrat dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ku vepra penale është kryer në mënyrë të vrazhdë, duke shtënë shtatë herë me armë zjarri në drejtim të tani të ndjerit, ambienti në të cilën është kryere vepra penale, pranë një rruge të frekuentuar jashtëzakonisht shumë nga ana e qytetarëve, përkatësisht afër një marketi, ku është krijuar edhe një lloj ndjenje e pasigurisë tek qytetarët”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë: Djegja e makinës së Butës, motivi i vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj

Kujtojmë që G. H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë mesnatën e mbrëmshme në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.

Kallxo.com ka siguruar dosjen e prokurorisë, e cila e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com thuhet se i dyshuari ‘me dashje dhe me parapërgatitje ka qëlluar me armë zjarri shtatë herë’ duke e lënë të vdekur viktimën.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.

“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ta takuar të ndjerin shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç’rast si pasojë e të shtënave, nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë së Ferizajt.

Në dosje përshkruhet se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen. Po ashtu Prokuroria nga ky rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në atë zonë.

Sipas deklaratës së një dëshmitari në vendin e ngjarjes, e cila përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari Q. J. dyshohet se derisa viktima ka qenë duke ecur bashkë me disa shokë të tij, u ka shkuar nga prapa me një veturë të tipit ‘AUDI A7’ dhe me t`u ndalur para marketit ‘E… M….’ ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës.

Në dosje thuhet se viktimën më pas e kanë marrë shokët dhe e kanë dërguar në Qendrën Emergjente me një taksi, mirëpo aty mjekët e kishin konstatuar vdekjen e tij.

Bazuar në provat që prokuroria ka siguauar në vendin e ngjajres Prokruoria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të dyshuarit Q. J. të caktohet masa e paraburgimit.

Po ashtu në dosje thuhet se si prova për kë rast Prokuroria ka sekuestruar armëm me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Më parë kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari ka dhënë detaje për ngjarjen ai ka përshkruar momentet kur i dyshuari ka qëlluar për vdekje 30 vjeçarin.

Jashari duke u thirrur në raportet e para nga ngjarja ka treguar se dorasi ishte futur në market ku ishte viktima dhe kishte qëlluar në atë.

Ngjarja është parë nga një njësi e policisë e cila në atë kohë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, policët intervenuan dhe e kanë plagosë të dyshuarin.

“I dyshuari afrohet tek marketi dhe gjuan në drejtim të subjektit të tij, i cili ka qenë brenda marketit. Në atë moment zyrtarët policor fillojnë ndjekjen e të dyshuarit duke i thënë me fjalë “ndal policia”, rrugë e sipër pas shkëmbimit të zjarrit plagoset i dyshuari që ka qenë në ikje”, ka thënë Jashari.

Rasti ndodhi në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj ndërsa për vrasjen po dyshohet një person me inicialet Q .J.

Tutje, kryeprokurori tha se hetimet kanë nis ndaj të dyshuarit për vrasje por edhe ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës.

“Gjithashtu, edhe ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar hetime nga Inspektori Policor i Kosovës. Prokuroria aktualisht është duke e përgatitur kërkesën për masën e paraburgimit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka treguar se i vrari ishte rreth moshës 30 vjeç siç ishte edhe i dyshuari.

“Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J. ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G. H. (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.

Si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri ( pistoleta) dhe shtatë (7) gëzhoja.

“Gjithashtu , me vendim të Prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J. është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë”, thuhej në njoftim.