Ilustrim
Dosja e Prokurorisë: Djegja e makinës së Butës, motivi i vrasjes së 30 vjeçarit në Ferizaj
G. H., 30 vjeçar, mbeti i vrarë mesnatën e mbrëmshme në Ferizaj, pasi i njëjti u qëllua për vdekje me armë zjarri, nga i dyshuari Q. J.
Kallxo.com ka siguruar dosjen e prokurorisë, e cila e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë.
Në dosjen e siguruar nga KALLXO.com thuhet se i dyshuari ‘me dashje dhe me parapërgatitje ka qëlluar me armë zjarri shtatë herë’ duke e lënë të vdekur viktimën.
Në dosjen e prokurorisë përshkruhet se motivi i kësaj vrasje dyshohet se ka të bëjë me djegien e një veture të vëllait të të dyshuarit, rep-kengëtarit Buta dhe se i dyshuari ka pretenduar se vetura i ishte djegur nga tashmë viktima G. H.
“Pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tij për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me ta takuar të ndjerin shtënë në drejtim të tij me armë zjarri shtatë herë, me ç’rast si pasojë e të shtënave, nga plagët e marra ndërron jetë”, thuhet në dosjen e prokurorisë së Ferizajt.
Në dosje përshkruhet se i dyshuari me parapërgatitje dhe me dashje e ka kryer vrasjen. Po ashtu Prokuroria nga ky rast ka siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në atë zonë.
Sipas deklaratës së një dëshmitari në vendin e ngjarjes, e cila përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, i dyshuari Q. J. dyshohet se derisa viktima ka qenë duke ecur bashkë me disa shokë të tij, u ka shkuar nga prapa me një veturë të tipit ‘AUDI A7’ dhe me t`u ndalur para marketit ‘E… M….’ ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës.
Në dosje thuhet se viktimën më pas e kanë marrë shokët dhe e kanë dërguar në Qendrën Emergjente me një taksi, mirëpo aty mjekët e kishin konstatuar vdekjen e tij.
Bazuar në provat që prokuroria ka siguauar në vendin e ngjajres Prokruoria ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të dyshuarit Q. J. të caktohet masa e paraburgimit.
Po ashtu në dosje thuhet se si prova për kë rast Prokuroria ka sekuestruar armëm me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Vrasja në Ferizaj, prokurori përshkruan rrjedhën e të shtënave
Më parë kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari ka dhënë detaje për ngjarjen ai ka përshkruar momentet kur i dyshuari ka qëlluar për vdekje 30 vjeçarin.
Jashari duke u thirrur në raportet e para nga ngjarja ka treguar se dorasi ishte futur në market ku ishte viktima dhe kishte qëlluar në atë.
Ngjarja është parë nga një njësi e policisë e cila në atë kohë ishte duke bartur një të dyshuar për narkotikë, policët intervenuan dhe e kanë plagosë të dyshuarin.
“I dyshuari afrohet tek marketi dhe gjuan në drejtim të subjektit të tij, i cili ka qenë brenda marketit. Në atë moment zyrtarët policor fillojnë ndjekjen e të dyshuarit duke i thënë me fjalë “ndal policia”, rrugë e sipër pas shkëmbimit të zjarrit plagoset i dyshuari që ka qenë në ikje”, ka thënë Jashari.
Rasti ndodhi në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj ndërsa për vrasjen po dyshohet një person me inicialet Q .J.
Tutje, kryeprokurori tha se hetimet kanë nis ndaj të dyshuarit për vrasje por edhe ndaj zyrtarit të Policisë së Kosovës.
“Gjithashtu, edhe ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar hetime nga Inspektori Policor i Kosovës. Prokuroria aktualisht është duke e përgatitur kërkesën për masën e paraburgimit”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka treguar se i vrari ishte rreth moshës 30 vjeç siç ishte edhe i dyshuari.
“Nga hetimet e para, dyshohet se personi me inicialet Q.J. ( M/K) i moshës 30 vjeçar, ka shtënë me armë zjarri në personin tjetër me inicialet G. H. (M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo e konfirmuar nga mjekët e spitalit të Ferizajt”, thuhet në njoftim.
Si provë materiale nga vendi i ngjarjes është konfiskuar dy armë zjarri ( pistoleta) dhe shtatë ( 7) gëzhoja.
“Gjithashtu , me vendim të Prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit Q.J. është lëshuar vendimi për ndalim për 48 orë”, thuhej në njoftim.