Komuna e Prishtinës
Projektet më të mëdha të Prishtinës për vitin 2021
Buxheti i komunës së Prishtinës për vitin 2021 pritet të jetë 85 milionë euro.
Komuna ka buxhet të mjaftueshëm për të kryer punët që planifikon, por këto zakonisht zvarriten edhe si shkak i procedurave të prokurimit.
Janë një numër i madh i projekteve që Komuna i ka futur në prokurim gjatë këtij viti, por që është dashur t’i bartë në planin për investime kapitale të vitit 2021.
Një pjesë e madhe e këtyre projekteve u shtynë edhe si shkak që prokurimi në pjesën e parë të këtij viti ka qenë vetëm për mjete që nevojiteshin për luftimin e pandemisë COVID-19.
Komuna ka planifikuar shumën prej 22 milionë euro si shpenzime kapitale për vitin 2021, kurse ndër projektet më të mëdha që priten të marrin dritën e gjelbër në vitin që po hyjmë janë si në vijim:
Komuna ka disa projekte që janë vazhdim nga viti 2020, si ai i Tregut të qytetit (Qarshia e vjetër), ky projekt është tenderuar në vitin 2020, por punimet pritet të fillojnë në vitin 2021.
Përpos tregut të vjetër, komuna ka në plan të rinovojë edhe tregun në lagjen “Ulpiana”, për të cilin ishin bërë publike disa foto se si do dukej, por që nuk është futur ende në procedurë të prokurimit.
Projekt tjetër është edhe tuneli në rrugën “Agim Ramadani”, që po ashtu është tenderuar në këtë vit, por që punimet janë shtyrë për vitin e ardhshëm.
Prishtina do vazhdojë tutje me implementimin e planit të mobilitetit i cili do marrë kohë disa vite, kurse për vitin 2021, janë ndarë 1 milion euro.
Një projekt tjetër që është përfolur shumë, është ai ndërtimit të ‘Rrugës A’, i cili do bëhet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës, kurse bashkë më të pritet të ndërtohen edhe kolektorët e ujërave të zeza në lagjen ‘Mati 1’ dhe ‘Kalabria’.
Në buxhet të këtij viti është edhe projekti për Galerinë e qytetit, vazhdim i fazës së dytë.
Projekti i shumë përfolur për ndërtimin e Sallës Koncertale pritet të fillojë në vitin 2021, për këtë komuna ka hapur konkurs ndërkombëtar për adaptimin e ish objektit “Gërmia”, ky projekt pritet të jetë në bashkëfinancim me Bashkimin Evropian.
Komuna gjatë vitit të ardhshëm ka në plan që të fillojë ndërtimin e katër shkollave, një në lagjen ‘Prishtina e re’, objektin e ri për shkollën “7 shtatori”, në fshatin ‘Vranidoll’ dhe një në “Shkabaj”.
Në vitin 2021 Prishtina po ashtu ka në plan të fillojë ndërtimin e qendrës së mjekësisë familjare në lagjen ‘Veternik’ dhe Qendrën strehimore për komunitetin LGBTI+.
Komuna gjithashtu ka planifikuar që të rinovojë tunelin e kurrizit dhe të shtojë disa ilustrime artistike në të.
Në vitin 2021, do vazhdojë edhe vendosja e kamerave të sigurisë, projekt që filloi në vitin 2020 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Deri tani vendosja e këtyre kamerave është bërë vetëm në qendër, kurse planifikohet të mbulohet e gjithë zona urbane dhe rurale deri në fund të mandatit.
Në vitin që po hyjmë Prishtina ka gjithashtu në plan që të dixhitalizojë edhe shërbimet në sportele.
Këto janë vetëm një pjesë e projekteve më të mëdha që Komuna ka futur në buxhet për investime kapitale gjatë vitit 2021.
Mbetet të shihet sa prej tyre do mbyllen në mandatin e kryetarit Shpend Ahmeti, dhe sa do barten në vitet në vijim.