Profesoresha e Fakultetit të Studimeve Islame i bashkohet PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se kësaj partie i është bashkuar nga sot profesoresha e Fakultetit të Studimeve Islame, Besa Ismaili.

Anëtarësimin e profesoreshës Ismaili kryetari Veseli e ka quajtur lajm shumë shpresëdhënës për luftën e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

“Unë jam i gëzuar që ajo e ka gjetur veten tek Partia Demokratike e Kosovës e cila është një parti konservatore e qendrës së djathtë që mbështet vlerat tradicionale të shoqërisë sonë dhe ka vizionin e duhur për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Kadri Veseli.

Ky është postimi i plotë i kryetarit të PDK-së.

“Sot i urova mirëseardhjen në Partinë Demokratike të Kosovës, Besa Ismailit, profesoresës së Fakultetit të Studimeve Islame. Lajm shumë shpresëdhënës që edhe ajo iu bashkua luftës time kundër korrupsionit dhe nepotizmit për të krijuar mundësi për gjeneratat e reja.

Zonja Ismaili është një zë i njohur në shoqërinë kosovare dhe jetën akademike të Kosovës, duke qenë e angazhuar për më shumë se dy dekada në promovimin e rolit të gruas dhe lirive fetare në shoqëri dhe në përkujdesje për grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në ndertimin e paqes dhe në promovimin e dialogut ndërkulturor e ndër-fetar dhe prandaj është laureate e shumë çmimeve ndërkombëtare.

Unë jam i gëzuar që ajo e ka gjetur veten tek Partia Demokratike e Kosovës e cila është një parti konservatore e qendrës së djathtë që mbështet vlerat tradicionale të shoqërisë sonë dhe ka vizionin e duhur për të ardhmen e vendit tonë. Ne do të punojmë së bashku, dhe do t’ia dalim që të ndërtojmë një Kosovë të zhvilluar.”