Prodhuesit e Kosovës organizojnë edicionin e pesë të Green Business Expo

Klubi i Prodhuesve të Kosovës po organizon edicionin e 5-të të Green Business Expo, i cili këtë radhë do të jetë tërësisht virtual. Green Business Expo do të mbahet me 1 dhe 2 dhjetor, 2020 në businessexpo.greenkosovo.com. Organizimi i këtij edicioni bëhet në partneritet me GIZ Kosovo, Procredit Bank dhe Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Kosovë.

Sipas komunikatës, Green Business Expo do të jetë i disponueshëm në gjuhën shqipe dhe angleze dhe do të vijë me një koncept inovativ dhe në nivel me panairet virtuale ndërkombëtare, ku pjesëmarrës do të jenë kompani nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnia dhe Hercegovina. Sektorët të cilët do të jenë pjesë këtë edicion janë: Ndërtimi dhe eco – enterieri, Efiçienca e energjisë, Energjia e ripërtërishme  dhe Riciklimi.

Ky panair për 5 vite radhazi është një ndër aktivitetet më të rëndësishme për Bizneset e Gjelbra në Kosovë, dhe i cili ofron një platformë të rrjetëzimit për Bizneset e Gjelbra, institucionet qeveritare, donatorët dhe të gjithë akterët relevant.

Klubi tregon se ku do të shfaqen produkte e ‘gjelbra’ ndëra në vitin e kaluar kishte 47 kompani me rreth 6,630 vizitorë

“Kompanitë pjesëmarrëse do të shfaqin produktet e tyre “të gjelbra” në Pavijonin e Gjelbër, në të cilin vitin e kaluar ishin 47 kompani pjesëmarrëse dhe u realizuan shitje potenciale me vlerë 1.3 milion gjatë dy ditëve dhe kishte rreth 6,630 vizitorë dhe 673 kontakte të vlefshme.”, bën të ditur komunikata.

Forumet e Gjelbra gjithashtu do të mbahen gjatë festivalit, ku ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë do të paraqesin trendet e fundit dhe të ardhshme të industrisë në efiçiencën e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe riciklimin si dhe rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm të bizneseve të gjelbra. Pjesë e festivalit do të jetë edhe pjesa e Prezantimit të Produkteve, ku kompanive pjesëmarrëse do të ju ofrohet mundësia për të prezantuar produktet e tyre.

Klub tregon se si duhet aplikuar për pjesëmarrësit të cilët duan të jenë ekspozues.

“Për të aplikuar për pjesëmarrjen tuaj si ekspozues, ju lutemi vizitoni faqen paralajmëruese të panairit  businessexpo.greenkosovo.com dhe plotësoni formën e regjistrimit”, thuhet në komunikatë.