Foto: Klubi i Prodhuesve të Kosovës

Foto: Klubi i Prodhuesve të Kosovës

Prodhuesit e Kosovës dhe MZhR-ja me memorandum bashkëpunimi

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe promovimit të bizneseve, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe dikasteri qeveritar i zhvillimit rajonal arritën memorandum bashkëpunimi.

Përmes komunikatës për media, Klubi i Prodhuesve të Kosovës bën të ditur se sot nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR).

Memorandumi u nënshkrua nga drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha dhe ministrit në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Enis Kervan.

Ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit të prodhuesve të Kosovës me këtë dikaster qeveritar.

“Memorandumi i nënshkruar ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit në mes të Klubit të Prodhuesve dhe MZHR-së, kështu duke kontribuar për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal në Kosovë. Synimi i përbashkët është bashkëpunimi i  ndërsjellë, për të siguruar realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në avancimin e zhvillimit socio – ekonomik rajonal, dhe duke përfaqësuar interesin publik midis komunitetit të biznesit dhe autoriteteve publike.”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se ky memorandum ka për qëllim shpërndarjen e informacioneve tek prodhuesit lidhur me lansimin dhe implementimin e programeve nga MZHR për përkrahje të bizneseve.

Qëllim tjetër përmendet promovimi i bizneseve dhe produkteve të tyre, ngritja e kapaciteteve të bizneseve përfshirë partnerët e mundshëm vendorë dhe ndërkombëtarë.