Foto: KALLXO.com

Procesi mësimor mund të mos nisë as më 13 shtator

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka lënë të kuptohet se procesi mësimor mund të mos fillojë as më 13 shtator.

Për shkak të rëndimit të situatës me pandeminë e COVID-19, institucionet e Kosovës kanë shtyrë për më 13 shtator fillimin e mësimit.

Por, ministrja Nagavci sot ka bërë të ditur se rekomandimet e institucioneve shëndetësore janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin  e situatës me pandeminë.

“Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave”, ka shkruar ministrja e Arsimit në profilin e saj në Facebook.

Ndryshe, ajo ka bërë të ditur se institucionet kanë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mësimin.