Prizreni i shqetësuar, shkon në 54 numri i të infektuarve me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga analizat e bëra sot janë shënuar edhe 34 raste me COVID-19, ndërsa janë shëruar 3 persona nga ky virus.

Nga këto raste, IKSHP kishte njoftuar se 9 raste janë nga Komuna e Prizreni, mirëpo i kontaktuar nga KALLXO.com Drejtori i Shëndetësisë në Prizren, Visar Shehu, tha megjithatë se janë 8 raste meqenëse një rast ishte vendosur gabimisht në listën për Komunën e Prizreni, ndërsa është me vendbanim në Dragash.

Sot gjatë ditës janë dërguar 53 mostra për testime nga Prizreni, prej tyre 23 pacientë dhe individë, ndërsa të tjerët janë staf i Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Drejtori i Shëndetësisë, tha se nga këto testime dy personave i janë marrë mostrat në Klinikën Infektive, ndërsa pesë persona kanë qenë të vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

“Nga të gjitha testimet pra janë konfirmuar tetë raste nga Komuna e Prizreni, pasi që njëri rast është vendosur gabimisht dhe është nda Komuna e Dragashit, ndërsa tashmë me raste te reja numri i përgjithshëm i rasteve të reja rritet në 54, nga të cilët dy pacientë janë shëruar, ndërsa janë shënuar edhe viktima”, tha Shehu.

Drejtori i Shëndetësisë tha se shqetësuese është dalja në numër të shumtë e qytetarëve, pasi edhe sot gjatë ditës është raportuar për numër të lartë të qytetarëve nëpër rrugët e qytetit.

Shehu dje ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me raste me COVID-19 që po dalin nga Spitali i Prizreni, madje i njëjti kishte paralajmëruar takim urgjent me Drejtorin e Spitalit, mirëpo sot nuk është realizuar ky takim.

Ai tha se nuk kanë pranuar ende informacione se nga rastet e konfirmuara sa nga ta janë punonjës të Spitalit, nga ku dje dolën tetë rezultate pozitive.

Mirëpo drejtori i Shëndetësisë në Komunë e Rahovecit, Samir Mustafa ka thënë që dy rastet me COVID-19 të shfaqura sot në këtë komunë, janë infermiere që kanë punuar në Spitalin Regjional në Prizren.

Edhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka ka shprehur shqetësimin e tij pas rasteve pozitive të shfaqura sot në Komunën e Prizrenit.

“Në fakt është një numër mjaft i madh dhe për këtë duhet të kemi shqetësim që të gjithë, dhe ky numër mund të rritet akoma më shumë pas gjurmimeve të të afërmve të personave të infektuar”, ka thënë Haskuka pas konfirmimit të rasteve duke iu referuar 54 rasteve të konfirmuara në Komunën e Prizrenit.