Prizren, vdes shoferi që me veturë ra në lug të lumit

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën Prizren-Reqan më 06.03.2024. Policia po dyshon se bëhet fjalë për vetaksident.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, ngasësi ka humbur kontrollin dhe nga automjeti ka rënë në lugun e lumit nga një lartësi përafërsisht 10 metra.

“Deri te aksidenti ka ardhur kur ngasësi (F.M. i lindur me 1954, mashkull) nga fshati Llokvicë, Prizren, derisa ishte duke drejtuar automjetin humb kontrollin mbi automjetin dhe kalon në anën e majtë të rrugës, e godet anësoren dhe bie poshtë në lugun e lumit. Automjeti bie nga lartësi përafërsisht 10 metra” -ka thënë ai.

Ndërsa ka njoftuar se si pasojë e aksidentit ngasësi ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa pasagjerja ka pësuar lëndime trupore.

“Si pasojë e aksidentit ngasësi mbetet i vdekur në vend, ndërsa pasagjerja (E.M. e lindur  më 1957) pëson lëndime trupore. Ajo është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren dhe pas tretmanit mjekësor është liruar. Në konsultim me prokurorin kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”- ka njoftuar tutje ai për KALLXO.com.

Bytyqi ka shtuar se rastin është duke e hetuar Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor të Prizrenit.