Arkiv- Kartëmonedha euro - Foto: REL/AFP

Prizren, kërkohet paraburgim ndaj 5 personave të dyshuar për falsifikim të mbi 1 mijë eurove

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim ndaj pesë të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Pesë personat me inicialet B.B, T.P, V.Z, L.E, dhe A.P gjatë muajit tetor dhe nëntor të këtij viti në Prizren, dyshohet se kanë poseduar dhe vënë në qarkullim para të falsifikuara.

Në njoftim thuhet se i pandehuri B.B, gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, është vërtetuar se i njëjti me dashje ka poseduar para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, gjatë kësaj periudhe i ka shitur 1,250 euro të pandehurit T.P, të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta, me ç‘rast i pandehuri T.P., është pajtuar që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 euro, duke i paguar në mënyra periodike.

Sipas njoftimit, herën e parë për 300 euro të falsifikuara janë paguar 200 euro origjinale, për herën e dytë për 400 euro të falsifikuara janë paguar 300 euro origjinale, derisa në herën e tretë për 550 euro të falsifikuara janë paguar 400 euro origjinale.

Në total i pandehuri B.B, arriti t’i shesë 1,250 euro të falsifikuara. Në këtë mënyrë B.B, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, të pandehurit, T.P, V.Z, L.E, dhe A.P, gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në cilësinë e punëtorëve si kamerierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren.

Këto ishin paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Në këtë mënyrë, të pandehurit T.P, V.Z, L.E, dhe A.P, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë të pandehurit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe për të njëjtit Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera hetimore.​