Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prizren, Drejtoria e Arsimit e konsideron të parealizueshme idenë e ministres Nagavci për tekstet shkollore

Mësimdhënësit dhe shkollat e komunës së Prizrenit ndodhen në një situatë të vështirë pas idesë së paralajmëruar nga ministrja e Arsimit që prindërit t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre, e më pas ata të rimbursohen për këto blerje.

“Nuk është thjesht sfidë, por është e pamundur në këto kushte ideja e ministres të realizohet” – ka thënë për KALLXO.com Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren.

Sipas Veselaj-Gutajt, në cilindo variant që të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore në këtë kohë do të sjellë probleme dhe pasoja.

Si rezultat i kësaj, ajo ka përmendur një nga sfidat që do të paraqitet – mësimdhënësit do të përballen me libra të shtëpive botuese të ndryshme, pasi prindërit janë të lirë të furnizohen me libra nga shtëpi botuese të ndryshme.

Ajo ka njoftuar se është përmbyllur faza e parë ku mësimdhënësit kanë bërë të ditur se me cilat libra do të punojnë.

“Në kohën kur drejtorët e shkollave kanë pritur që të plotësohet faza e dytë e përzgjedhjes së teksteve shkollore, për të cilën ka pasur vonesa, vjen kjo deklaratë e ministres së MASHTI, e cila është shoqëruar me reagime nga drejtuesit e shkollave dhe komuniteti. Prej kaq vitesh nuk ka ndodhur që DKA-të dhe institucionet shkollore të gjenden me një situatë të tillë” – ka theksuar drejtoresha.

Deklaratën e ministres Arbërie Nagavci në konferencën e djeshme lidhur me këtë formë të blerjes së librave, Veselaj-Gutaj e ka vlerësuar si shokuese, dhe “propozim kundërligjor”, pasi, sipas saj, “është në kundërshtim me Ligjin e arsimit parauniversitar”.

Sipas saj, ky ligj decidivisht e përcakton qartë se librat në arsimin parauniversitar jepen falas.

Komuna e Prizrenit ka 60 shkolla, prej tyre 55 janë shkolla fillore të mesme të ulëta, ndërsa 5 janë shkolla të mesme të larta.

Numri i nxënësve në këto 60 shkolla është 24,958.

Në një konferencë për media, ministrja Nagavci ka deklaruar se janë duke shqyrtuar idenë që paratë për blerjen e librave t’ua transferojnë prindërve përmes platformës e-Kosova.

Kurse, zëvendësministri i MASHTI-it, Taulant Kelmendi e ka quajtur të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit.

Kelmendi ka thënë se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

Reagimet për këtë çështje nuk kanë munguar.

Shtëpia Botuese “Dukagjini” doli të hënën me një reagim duke thënë se çmimi i ofertuar për këtë vit të ri shkollor është më i ulët për 4% se çmimi i vitit të kaluar.

Në lidhje me situatën e krijuar kanë reaguar edhe përfaqësues të partive politike opozitare.